Ambasadori Rohde: Kosova është e përfshirë në listën e Gjermanisë gjatë presidencës së Këshillit të BE-së

Ambasadori Rohde: Kosova është e përfshirë në listën e Gjermanisë gjatë presidencës së Këshillit të BE-së

Aktuale August 06, 2020 - 11:35

Ambasadori i ri i Gjermanisë në Kosovë, Jorn Rohde, u është drejtuar qytetarëve të Kosovës përmes një videomesazhi.

Ai ka falënderuar qytetarët për mikpritjen që i është bërë në Kosovë, ndërsa ka thënë se është i impresionuar me ndryshimin që ka pësuar Kosova prej vitit 2001 e këndej.

Rohde ka konfirmuar se Kosova dhe gjithë Ballkani Perëndimor janë në prioritetet gjatë presidencës së Këshillit të BE-së.

“Ballkani Perëndimor, duke përfshirë Kosovën, janë në listën tonë gjatë presidencës së Këshillit të BE-së. Dialogu për normalizimin e raporteve me Serbinë është prioritet i rëndësishëm”, thotë Rohde në videomesazhin e publikuar në “Twitter”, transmeton “Zeri.info”.

Ambasadori gjerman ua ka rikujtuar autoriteteve në Kosovë se shteti gjerman pret përparim në fushën e sundimit të ligjit dhe në luftën kundër korrupsionit.

Diplomati gjerman nuk ka lënë pa përmendur as situatën e rënduar me pandeminë në javët e fundit.

“Shifrat aktuale në rritje janë tejet brengosëse. Duhet angazhim më i madh për ta mbrojtur shëndetin e qytetarëve dhe për ta rimëkëmbur ekonominë”, ka thënë Rohde. /Zëri