Qytetarët paguajnë taksë ekologjike, mjetet nuk dihet ku përfundojnë

Qytetarët paguajnë taksë ekologjike, mjetet nuk dihet ku përfundojnë

Aktuale August 06, 2020 - 08:05
Image

Qytetarët e Kosovës po vazhdojnë të paguajnë nga 10 euro për taksën ekologjike krahas taksave të tjera kur regjistrojnë makinat e tyre. Mirëpo, mjetet nga kjo taksë nuk shkojnë direkt në të mirë të ambientit.  

Sipas ekspertëve të fushës së ekologjisë, Kosova ka dështuar të mbrojë ambientin, duke keqmenaxhuar me legjislacionin dhe po ashtu me mjetet financiare.    

“Zëri” ka kërkuar përgjigje nga ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) lidhur me këtë çështje, por nga ky dikaster nuk është deklaruar askush as pas dhjetë ditësh që kur gazeta ka dërguar me shkrim pyetjet në këtë ministri.  

Profesori universitar, si dhe njohësi i çështjeve të mjedisit, Zeqir Veselaj, thotë se ka kaluar kohë e gjatë prejse ambientalistët kanë kërkuar që taksa ekologjike të destinohet. 

Madje ishte paraparë themelimi i ekofondit, ku duhet të derdheshin mjetet nga kjo taksë, por siç thotë Veselaj, kjo është kundërshtuar vazhdimisht nga Ministria e Financave, e cila nuk e lejoi themelimin e tij. 

“Në ligjin e parë për mbrojtjen e mjedisit ishte paraparë themelimi i ekofondit ose fondit ekologjik, ku duhet të derdheshin taksat ekologjike dhe taksat e tjera, si edhe tarifat mjedisore, gjobat për mjedisin etj.”, ka thënë Veselaj, i cili është njëri nga hartuesit e këtij ligji.  

Ai ka thënë për “Zërin” se edhe donatorët premtonin ta mbushnin ekofondin.

 “Por ishte kundërshtimi i vazhdueshëm i Ministrisë së Financave që nuk lejoi themelimin. Gjithmonë thirreshin në një konflikt me Ligjin e Financave Publike, që nuk lejonte fonde brenda buxhetit, por kurrë nuk kanë treguar saktë se ku ishte ndeshja me këtë ligj. Kjo nuk qëndron, pasi ekzistonte Fondi Pensional, tash është themeluar Fondi për Efiçiencën Energjetike etj. Kishte disa tentativa nga Ministria e Mjedisit për ta shtyrë ligjin si të veçantë, por të gjitha dështuan me arsyetimet dhe kundërshtimet e Ministrisë së Financave”, ka thënë ai.

Veselaj thotë se duhet të aprovohet projektligji për ekofondin, përmes të cilit nga taksa ekologjike do të mblidhen rreth tre milionë euro në vit. 

“Të aprovohet ligji për ekofondin dhe të themelohet ai! Kështu mund të llogarisim që nëse nga asgjë tjetër, për çdo vit në këtë ekofond vetëm nga taksa ekologjike të mblidhen rreth 3 milionë euro. Ekofondi do të operonte si agjenci e pavarur, duke respektuar legjislacionin e financave publike për të mbështetur investimet në mjedis me mjetet e akumuluara”, thotë ai. 

Njohësi i çështjeve mjedisore, Veselaj, po ashtu thotë se mjedisi nuk është trajtuar asnjëherë si problem. Me “zhdukjen”, siç thotë ai, të Ministrisë së Mjedisit, Kosova është mbrapa në trajtimin e problemeve të mëdha mjedisore.

“Mjedisi në fakt nuk ka qenë asnjëherë i trajtuar mirë as si problem e as si resor qeveritar. Por 2020-a i ka dhënë goditje të rëndë, për të mos thënë finale. ‘Zhdukja’ e Ministrisë së Mjedisit si e veçantë dhe furnizimi i saj së pari me Ministrinë e Infrastrukturës e më pas me atë të Ekonomisë është hap shumë mbrapa në trajtimin serioz të problemeve të mëdha mjedisore në këtë vend. Përderisa çdo raport i Progresit të BE-së ka kërkuar nga Qeveria forcimin e kapaciteteve të Ministrisë së Mjedisit, Kosova e zhduk fare”, shprehet ai. 

Veselaj thekson se derisa Ministria e Mjedisit nuk rikthehet në funksionimin e saj si ministri në vete, nuk pret ndonjë ndryshim ndaj çështjes së ambientit. Ndaj, sipas tij, me këtë trajtim ndaj ambientit, Kosova do të prijë në listat e vendeve me ndotjen më të lartë të ajrit. 

“Kështu që përderisa nuk kthehet një Ministri në vete për mjedisin, jam shumë skeptik se do të shohim ndonjë progres sado të vogël. Me këtë trajtim do të vazhdojmë të prijmë në listat e ndotjes së ajrit me fatalitete, siç e dëshmoi edhe raporti i fundit për cilësinë e ajrit në Evropë. Do të shohim përnatë storie në media mbi ndotjes ujërash, ngordhje peshqish, degradim të natyrës, eksploatim i pakontrolluar i resurseve, ndërtime pa leje në parqe kombëtare etj. Me trendin aktual adresimit të problemeve mjedisore do t’u ndërrohet adresa prej qeverie në qeveri”, thotë Zeqiraj. /Zëri