ZKA konstaton se Komuna e Kamenicës eliminoi padrejtësisht 127 studentë për bursa

ZKA konstaton se Komuna e Kamenicës eliminoi padrejtësisht 127 studentë për bursa

Aktuale August 03, 2020 - 19:00

Komuna e Kamenicës kishte hapur konkurs në vlerë 15 mijë euro për të ndarë bursa për studentët më të mirë të kësaj komune.

Mirëpo Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) konstaton se vlerësimi i aplikacioneve të kandidatëve ishte bërë duke përdorur kritere shtesë të cilat nuk ishin të shpallura në thirrjen publike, të tilla si; Nota mesatare, Drejtimi deficitar dhe Fakulteti publik, ku në bazë të këtyre kritereve shtesë të pashpallura, 127 studentë ishin eliminuar padrejtësisht nga përfitimi i bursës, përcjell Zeri.info.

ZKA thotë se thirrja Publike e cila kishte qëllim dhënien e bursave për studentët përcakton se dokumentet e nevojshme për aplikim të cilat ishin “Dokumenti i identifikimit; Certifikata e notave (përveç për studentët e regjistruar në vitin akademik 2019/20); Certifikata e vitit kalendarik të studimeve; Certifikata e vendbanimit; Vërtetimi nga fakulteti se nuk është përfitues i bursës; dhe Konfirmimi nga banka për xhirollogarinë e aplikuesit”.

Për këto parregullsi, ZKA thotë se nuk kanë marrë ndonjë sqarim nga zyrtarët komunalë për përdorimin e kritereve shtesë. Sipas kësaj zyre thuhet se përdorimi i kritereve të cilat nuk kanë qenë të përcaktuara në Thirrjen Publike, dekurajon studentët që të aplikojnë për subvencione në të ardhmen, gjithashtu paraqet rrezik që kriteret e përdorura të jenë të përshtatura për një grup të caktuar të aplikantëve.

Një ndër 127 studentët që nuk kishte përfituar bursë në vitin 2019 ishte edhe studenti Liridon Llozani, i cili përkundër notës mesatare 9.79 dhe dokumentacionit të kërkuar nuk u ndihmua nga Komuna e Kamenicës. Ai thotë se ka qenë i shokuar kur ka marrë vesh se nuk ka qenë në mesin e bursistëve të kësaj komune. /Zëri