Ndalohet lëvizja e kafshëve në disa qytete të Kosovës, shkak sëmundja ‘’Gjuha e Kaltër’’

Ndalohet lëvizja e kafshëve në disa qytete të Kosovës, shkak sëmundja ‘’Gjuha e Kaltër’’

Aktuale August 03, 2020 - 18:42

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUK), njofton se pas vlerësimit të situatës mbi paraqitjen e sëmundjes ‘’Gjuha e Kaltër’’ (Bluetongue) tek kafshët në shtetin fqinj të Maqedonisë se Veriut, dhe dy rasteve të dyshimta në fermat e komunave të brezit kufitar, ka vendosur që të ndalohet shitja apo lëvizja e kafshëve në disa qytete të Kosovës.

“Si masë parandaluese e përhapjes se sëmundjes vendoset ndalesa e lëvizjes se kafshëve në këto komuna: Shtërpcë, Ferizaj, Viti, Kaçanik, Hani i Elezit, Dragash, Prizren. Komunat e vendit duhet të sigurojnë vendin e groposjes në rast se kemi ngordhje të kafshëve”, thotë AUVK dhe porosit që nëse do të ketë shpërthime të sëmundjes në komunat tjera do te vlejnë masat e njëjta.

Sipas këtij urdhri, autoritetet kompetente shtetërore dhe fermerët janë të obliguar të ndërmarrin këto veprime për parandalim të përhapjes se sëmundjes:

“Fermerët blegtoral duhet të njoftojnë rastet e dyshimta të paraqitjes së kësaj sëmundje në fermat e tyre, tek veterinarët lokal apo zyrtaret e komunave; Ndalimi i lëvizjes së kafshëve nga fermat e komunave të lartë cekura; Trajtimi mjekësor i kafshëve të prekura; Dezinsektimi dhe dezinfektimi i fermave dhe kafshëve Groposja e kafsheve të ngordhura në vende të sigurta nën mbikëqyrjen e inspektorëve të AUV-së dhe Mbyllja e tregjeve të kafshëve në të gjithë vendin”, përcillet në njoftim.

Sëmundja Gjuha e Kaltër është sëmundje virusale jo ngjitëse e cila prek ruminantet shtëpiak. Prej këtyre shenja të theksuara klinike japin delet e më pak dhitë dhe shumë rrallë lopët. Janë insektet të gjinisë Culicoides që bëjnë transmetimin e sëmundjes tek kafshët. Sëmundja nuk transmetohet nga kafsha tek kafsha si dhe nga kafshët tek njeriu. /Zëri