Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Qeveria premton mbështetje për zhvillimin e Dragashit

Qeveria premton mbështetje për zhvillimin e Dragashit

Aktuale August 02, 2020 - 15:49

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, në kuadër të vizitave që po u bën komunave të vendit, sot ka vizituar atë të Dragashit.

Hoti fillimisht ka inspektuar punimet në rrugën Zhur-Dragash, e cila rrugë ka thënë se është e rëndësisë nacionale, një projekt me dy lote që shkon afër 7 milionë euro.

“Ka pasur mjaft vonesa, disa teknike e disa procedurale, por besoj që ministri është duke u kujdesur që të rritet dinamika dhe të përmbyllet ky projekt në afat optimal”, citohet të ketë thënë Hoti, duke theksuar se rruga është e rëndësisë së veçantë, sepse lidh tërë këtë trevë edhe për çështje të turizmit edhe të blegtorisë, por edhe për lidhje me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Më tej Hoti tha se kjo infrastrukturë kompleton tërë kushtet e nevojshme që të zhvillohet më mirë turizmi dhe të lehtësohet jeta e qytetarëve.

“Dragashi ka një diasporë të fuqishme të komuniteteve të ndryshme dhe besoj që kjo rrugë ndihmon në këtë drejtim”, tha kryeministri.

Më pas ai ka vazhduar vizitën në disa biznese të suksesshme në komunën e Dragashit dhe takim me fermerët në zonën e Gorës duke i premtuar se qeveria do t'i mbështesë banorët e kësaj zone në zhvillimin e turizmit malor nëpërmjet subvencioneve dhe granteve, si dhe përmirësimin e infrastrukturës së përgjithshme. /Zëri