Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Pronarët e pishinave paralajmërojnë bllokimin e kufirit Kosovë-Shqipëri

Pronarët e pishinave paralajmërojnë bllokimin e kufirit Kosovë-Shqipëri

Aktuale August 02, 2020 - 14:46

Pronarët e pishinave në Kosovë janë mbledhur për të kundërshtuar vendimin e Qeverisë së Kosovës për t’i mbyllur ato si masë parandaluese për shpërndarjen e COVID-19.

Përfaqësuesi i pronarëve të pishinave, Diamant Paçarizi, ka thënë për “Zërin” se në këto momente janë mbledhur në Milloshevë me të gjithë pronarët e pishinave në Kosovë, për të vendosur për kërkesat e tyre ndaj Qeverisë në protestën e së hënës më 3 gusht, në rast se nuk ftohen në takim sot deri në ora 20:00.

“Jemi në Milloshevë për të vendosur për kërkesat tona dhe do ta formojmë shoqatën tonë, aty do t’i diskutojmë të gjitha pikat. Nëse nuk na thirrin (institucionet shtetërore) në takim deri sot në ora 20:00, ne do të protestojmë nesër para Qeverisë”, tha Paçarizi për Zeri.info.

Ai ka paralajmëruar se në rast se Qeveria nuk reagon as pas protestës të së hënës, ata do të protestojnë edhe në kufi, duke bllokuar kufirin Kosovë- Shqipëri.

“Në rast të injorimit nga ana e Qeverisë edhe pas protestës të së hënës, ne do të protestojmë edhe në kufirin Kosovë-Shqipëri, ku do ta bllokojnë daljen e veturave”, ka thënë ai.

Paçarizi ka bërë të ditur se me vendimin e Qeverisë për mbylljen e pishinave, mijëra familje mbesin pa punë në Kosovë pasi përmes punës në pishina kanë siguruara të ardhurat. /Zëri