Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
AIP: Çerdhet private riahpen prej të hënës dhe s’do të mbyllen më kurrë

AIP: Çerdhet private riahpen prej të hënës dhe s’do të mbyllen më kurrë

Aktuale August 02, 2020 - 14:26

Nga kjo e hënë pritet të hapen të gjitha çerdhet private në Kosovë.

Kështu ka bërë të ditur Asociacioni i Institucioneve Parashkollore, të cilët kanë njoftuar se çerdhet private do të hapen nga data 3 gusht, duke respektuar protokollin e Ministrisë së Shëndetësisë, transmeton Zeri.info.

“Pas vendimit të institucioneve qendrore shtetërore të Kosovës se përgjegjësia për rihapjen e kopshteve/çerdheve bie mbi institucionet lokale (komunat) si dhe në mungesë të koordinimit të të gjitha komunave që kopshtet të hapen në unison njëjtë, si dhe pas kërkesave të pandërprera nga prindërit, ne si Asociacion i Institucioneve Parashkollore Private duke qenë nën ombrellën e MASH-it dhe duke qenë të sigurt se gjithnjë që nga fillimi i kemi plotësuar kushtet higjieno-sanitare nën mbikëqyrjen e inspektorateve të AVUK-ut, MASH-it e DKA-ve, kemi vendosur njëzëri që kopshtet/çerdhet private, rihapen ditën e hënë me 03.08.2020, për mos t'u mbyllur më kurrë, gjithnjë duke respektuar protokollin tashmë të implementuar prej datës 1 qershor kur u bë rihapja pas mbylljes dymujore të pandemisë”, thuhet në njoftimin e AIP-së.

Kujtojmë se me prezantimin e masave të reja kundër përhapjes më të madhe të koronavirusit në vendin tonë, Qeveria tha se çerdhet dhe kopshtet, si publike, ashtu edhe ato private, mund të hapen varësisht nga vendimet që i marrin komunat veç e veç.

Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, menjëherë pas marrjes së këtij vendimi nga qeveria, tha se çerdhet me gjasë do të rihapen nga kjo e hënë (3 gusht).