Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Cakaj sqaron rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së në Shqipëri

Cakaj sqaron rastin e arrestimit të ish-ushtarit të UÇK-së në Shqipëri

Aktuale August 02, 2020 - 13:53

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Meiza Haradinaj-Stublla, ka kontaktuar sot homologun e saj shqiptar, Gent Cakaj, pas lajmit për arrestimin e ish-ushtarit të UÇK-së, Murtez Kastrati.

Sipas Haradinajt, Cakaj ka vepruar shpejt pas arrestimit, duke sqaruar që Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh, transmeton Zeri.info.

“Me të lexuar njoftimin nga z. Hysni Gucati, rreth ndalimit të ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, z.Murtez Kastrati, kam kontaktuar menjëherë homologun shqiptar z.Gent Cakaj, i cili ka vepruar shpejtë dhe ka sqaruar që z. Kastrati është ndaluar për verifikim dhe liruar para 2 orësh”, shkruan Haradinaj – Stublla.

Ajo ka thënë se është e papranueshme se si Serbia shtiret ndërkombëtarisht për kinse ‘konstruktivitet’ ndaj Kosovës, ndërsa posa mbyllen dyert e të ashtuquajturit dialog, vazhdon veprimet ilegale kundër Kosovës.

“Kërkesat e Serbisë përmes INTERPOL-it duhet të azhurnohen nga autoritet e Shqipërisë, dhe të reflektojnë realitetin politik e ligjor të Kosovës. Do të angazhohemi bashkë me organizatat e dala nga lufta që menjëherë Qeveria, respektivisht MPJD dhe MPB e Republikës së Kosovës, t’u vë në dispozicion autoriteteve të Shqipërisë, listat e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, shkruan ajo.

Kryediplomatja kosovare ka theksuar se në bashkëpunim të ngushtë me homologun e saj Cakaj, do të veprojnë konform kompetencave ligjore e kombëtare, që të mos lejojnë turpërimin e maltretimin e shqiptarëve para kërkesave të tilla jolegjitime dhe joligjore të Serbisë.

“Përkrahja e vlerave të UÇK-së dhe pastërtisë së saj, nuk është vetëm çështje deklaratash”, shkruan ajo. /Zëri