Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Policia e Shqipërisë përgënjeshtron lajmin për ndalimin e ish-luftëtarit të UÇK-së

Policia e Shqipërisë përgënjeshtron lajmin për ndalimin e ish-luftëtarit të UÇK-së

Aktuale August 02, 2020 - 13:29

Pas lajmit të publikuar për ndalimin e ish-luftëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Policia shqiptare që rezultonte në kërkim nga Inteproli me kërkesë të Serbisë, Murtez Kastrati, “Euronews Albania” u interesua në Policinë shqiptare, por kjo e fundit e mohoi një gjë të tillë.

Burime nga Policia shqiptare i mediumit se informacioni i publikuar për Kastratin nuk është i vërtetë.

Lajmi fillimisht u bë i ditur nga kreu i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili shkroi në “Facebook” se burime i kanë konfirmuar se Serbia këto ditë ka bërë një listë të re të ish-luftëtarëve të UÇK-së, ku dhe kërkon arrestimin e tyre.

“Veterani i UÇK-së Murtez Kastrati nga Lipjani sot është ndaluar nga policia e Shqipërisë pasi që shteti Serb ka dërguar emrin e tij dhe shume ish pjesëtarëve të UÇK-së në Interpol, nga burimet që kemi marrë Serbia këto ditë ka bërë një listë të re me emra të ish pjesëtarëve të UÇK-së, ju bëjmë apel bashkëluftëtareve që këto ditë mos të lëvizin dhe të mos dalin në shtetet tjera”, shkruan ai.

Kreu i Veteranëve, Hysni Gucati, shton se Kosova duhet të marrë masa të menjëhershme për të ndaluar raste të tilla, të cilat vënë nën trysni të padrejtë emrat e ish-luftëtarëve që dhanë gjithçka për liri dhe pavarësi.

“Shteti i Shqipërisë duhet sa me parë ta lirojë Murtez Kastratin dhe të mos i marrë parasysh asnjëherë veprimet dhe listat e dërguar në Interpol nga Serbia, deri sa do të vazhdojnë kështu duke u maltretuar në këtë formë njerëzit që dhanë çdo gjë që ne sot ta kemi shtetin, veteranët ende nuk janë në gjendje të lëvizin të lirë, Qeveria e Kosovës sa me parë duhet të marrë masa në këtë drejtim dhe të mos kemi më raste të tilla!”, shton ai.