Infektuar: 10795
Shëruar: 6411
Vdekur: 365
Kurti uron Ditën Kombëtare të Zvicrës: Ky shtet është atdheu i dytë për shqiptarët

Kurti uron Ditën Kombëtare të Zvicrës: Ky shtet është atdheu i dytë për shqiptarët

Aktuale August 01, 2020 - 18:57

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka uruar Ditën Kombëtare të shtetit të Zvicrës, festë të cilën sipas tij ata vetë e zgjodhën, me një referendum, dhe e vendosën ta kenë si Festë Kombëtare në vitin 1994, kështu “duke dhënë shembullin për demokracinë direkte zviceriane, të famshme anembanë botës. Me gjithë dimensionin modern, data bart edhe peshën historike, ajo shënon themelimin e konfederatës 729 vite më parë, si një bashkim vullnetar popujsh e kantonesh”.

Dihet se shumë kosovarë punojnë e kontribuojnë në shtetin zvicëran pa mos anashkaluar këtu remitancat që dërgohen në Kosovë, vlerë kjo e çmueshme për ekonominë. Kurti thotë se Zvicra është atdheu i dytë i shqiptarëve, ndërsa kujton kohët e arsyet që ndikuan që shumë familje kosovare ta kenë së paku nga një të afërm në Zvicër.

“Përveçse Zvicra është mike e madhe e shqiptarëve dhe e Kosovës, ajo është edhe atdhe i dytë për mbi 250.000 shqiptarë. Shumica syresh janë nga Kosova e nga trojet e tjera që dikur sundoheshin nga Jugosllavia. Ata kanë nisur të shkojnë në Zvicër qysh në vitet ‘60, dhe kanë vazhduar të mërgojnë drejt atij vendi për shkak të diskriminimeve kombëtare, politike dhe ekonomike në vendlindjen e pushtuar. Zvicra ka qenë strehë e sigurt për shumë veprimtarë të përndjekur, dhe ka qenë bazë e rëndësishme e atdhetarizmit tonë. Gjatë luftës ai vend ndihmoi strehimin e të shpërngulurve me dhunë, mbajti ndërkombëtarisht anën e drejtë, dhe vazhdimisht e ka ndihmuar Kosovën pas çlirimit e pavarësisë”, thekson ai, përcjell Zeri.info

Kurti jep edhe shembuj se si shqiptarët janë integruar mirë në Zvicër, aq sa shpesh thuhet se kombëtarja e Zvicrës është ekipi i tretë më i mbështetur nga shqiptarët, pas Shqipërisë e Kosovës, për shkak të shqiptaro-zviceranëve që luajnë aty.

“Me mirënjohje të madhe për ndihmën që na ka dhënë si shtet e si popull, ia uroj Zvicrës ditën e saj kombëtare, e cila është ditë e shënuar edhe për shqiptaro-zviceranët. Ka ardhur koha që Zvicrën ta shohim, jo më si destinacion mërgimi, por si model zhvillimi për vendin tone” përfundon kurti gjersa thotë se kjo nuk është e pamundur, “nëse çlirohemi prej të korruptuarve ashtu siç u çliruam prej pushtuesve”. Ai shprehet i bindur se Kosova mund t’ia dali, edhe me ndihmën e vendeve mike, si Zvicra, por edhe me atë të mërgatës. /Zëri