Përfundon dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Përfundon dita e dytë e intervistimit të Thaçit në Hagë

Aktuale July 14, 2020 - 19:13

Ka përfunduar intervistimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.

Kjo ishte dita e dytë me radhë, që Thaçi u intervistua në Prokurorinë e Specializuar.

Pas intervistimit, që zgjati gjashtë orë, ai nuk u prononcua për mediat.

Ende nuk është e qartë nëse intervistimi i Thaçit do të vazhdojë edhe gjatë ditës së mërkurë.

Edhe të hënën, Thaçi u intervistua për gjashtë orë. Ai pas intervistimit tha se aty ishte biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe kishte pasur interesim “fillestar të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës”.

Ndërkaq, para se të niste intervistimin të hënën, presidenti i Kosovës deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.

Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.

Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.

Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën./REL