PSD: Mbyllja e aktivitetit ekonomik është mbrojtje e vetes dhe jo luftë ndaj virusit

PSD: Mbyllja e aktivitetit ekonomik është mbrojtje e vetes dhe jo luftë ndaj virusit

Aktuale July 14, 2020 - 15:39

Partia Socialdemokrate ka deklaruar se Qeveria aktuale, njëjtë si të kaluarat, është duke dështuar në menaxhimin e situatës së krijuar me COVID-19.

PSD-ja përmes një njoftimi për media ka thënë se mbyllja e aktivitetit ekonomik është mbrojtje e vetes dhe jo luftës ndaj virusit.

“Mbyllja dhe ndalimi i aktivitetit ekonomik është mbrojtje e vetes dhe jo luftë ndaj virusit. Ky veprim krizën epidemiologjike po e bën ekonomike e shoqërore. Sa më poshtë e sa më anash që je në shoqëri je në qendër dhe i ekspozuar nga virusi dhe pasojat e tij”, thuhet në njoftim.

Po ashtu nga PSD-ja thonë se Qeveria aktuale duhet të rrisë kapacitetet logjistike dhe të mobilizojë resurset njerëzore për të përballuar gjendjen në të cilën gjendemi.

“Qeveria aktuale nuk mund ta zëvendësojë mungesën e punës sistematike me reagim të ashpër e frikësues. Qeveria duhet të rrisë kapacitetet logjistike dhe të mobilizojë resurset njerëzore për ta përballuar gjendjen e rëndë ku gjendemi. Qytetarët e vendit janë subjekte të vetëdijshme dhe jo qenie të nënshtrueshme. Në vend se të kërcënojmë, stigmatizojmë e dënojmë përmes masave antikushtetuese, duhet fushatë informimi. Një dinamikë e re komunikimi është jetike. Duhet treguar për mënyrën dhe rëndësinë e parandalimit të sëmundjes”, thuhet më tej në njoftimin e PSD-së, ku theksohet se trajtim më të veçantë duhet pasur për personat mbi 70 vjeç, si dhe që kanë sëmundje të tjera. /Zëri/