Shqiptarët i vendosin kushte Vuçiqit për përfshirje në qeveri

Shqiptarët i vendosin kushte Vuçiqit për përfshirje në qeveri

Aktuale July 14, 2020 - 15:25

Presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, është takuar sot me përfaqësuesit e listës zgjedhore “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar”.

Përfaqësuesit politikë shqiptarë në takim me presidentin serb janë ankuar për diskriminim gjatë 20 vjetëve të fundit, ndërsa kanë vendosur kushte për t’u përfshirë në qeverinë e re, transmeton “Zeri.info”.

Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Argjend Bajrami, pas takimit ka treguar kushtet që “Alternativa Demokratike Shqiptare – Lugina e Bashkuar” ka vendosur për t’u futur në qeveri.

“Të gjitha këto flasin për mospërfshirjen tonë në qeveri, mirëpo pas diskutimeve të djeshme me kolegët e mi dhe sot pas takimit me presidentin serb, duke shpresuar një ‘Serbi të re’, që presidenti e proklamon një Serbi me perspektivë evropiane, ne si Koalicion i Shqiptarëve kemi propozuar me këto kushte të marrim pjesë në qeverisje të këtij shteti: 1. Ministri i Ministrisë së Pushtetit Lokal 2. Ndihmësministrin e Ekonomisë 3. Sekretarin shtetëror në Ministrinë e Arsimit 4. Kryetarin e Trupit Koordinues”, ka shkruar Bajrami në “Facebook”. Ai thotë se këto katër kushte janë të ndërlidhura ngushtë me problemet kryesore që kanë shqiptarët e Luginës, duke shpresuar që presidenti serb e ka kuptuar qasjen serioze të këtij koalicioni dhe presin përgjigje nga ai. /Zëri