LDK-ja thotë se gjendja shëndetësore e Isa Mustafës është shumë e mirë

LDK-ja thotë se gjendja shëndetësore e Isa Mustafës është shumë e mirë

Aktuale July 14, 2020 - 14:36

Të premten e kaluar kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, njoftoi se ka rezultuar pozitiv për COVID-19. Për gjendjen e tij kanë dhënë detaje nga LDK-ja.

Zyrtarja për Komunikim me Publikun në LDK, Gentiana Azemi, ka thënë se gjendja e Mustafës është shumë e mirë.

“Gjendja e kryetarit Mustafa është shumë e mirë, nuk ka nevojë për shqetësim. Ju falënderoj juve për interesimin”, ka thënë ajo për “FaktePlus”.

Ndryshe, Mustafa kur njoftoi se ishte infektuar me koronavirus tha se përveç një plogështie, nuk vërente diçka tjetër.

“Sot, pas analizave të kryera, kam rezultuar pozitiv me COVID-19. Përveç një plogështie, nuk vërej ndonjë shqetësim tjetër shëndetësor. Anëtarët e tjerë të familjes nuk janë të prekur. Ditët në vijim do të jem i izoluar. Apeloj te të gjithë për kujdes maksimal!”, kishte shkruar ai.

Deri tash të infektuar me koronavirus nga LDK-ja janë edhe Arben Gashi, Haxhi Avdyli, Visar Hoti e Frashër Demaj. Nga AAK-ja janë Albena Reshitaj e Driton Selmanaj, kurse nga PDK-ja Eliza Hoxha dhe Abelard Tahiri.