Deputetët përplasen në Kuvend për maska

Deputetët përplasen në Kuvend për maska

Aktuale July 14, 2020 - 12:42

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, ka reaguar në Kuvend për tremilionëshin e propozuar për pajisjen e qytetarëve të Kosovës me maska disapërdorimshe.

Gaxherri ka thënë se secili mund t’i qepë maskat vetë, duke arsyetuar se Kosova nuk ka buxhet për të shpenzuar tre milionë euro për maska.

“E keni propozuar ju edhe koleget që me tre milionë të blihen maska. Kosova është në gjendje të vështirë ekonomike si pasojë e pandemisë, prandaj secili në shtëpinë tonë mundemi me qepë maskë. Tre milionë janë shumë, me këto mjete duhet t’i punësojmë 300 punëtorë shëndetësorë dhe jo vetëm në Prishtinë, por edhe nëpër qendra tjera”, tha ajo, raporton “Zeri.info”.

Po ashtu Gaxherri u bën thirrje të gjithë qytetarëve që secili prej tyre t’i qepë maskat.

“Ju kisha lut se secila grua dhe burrë t’i qepni dhe t’i përdorim. Tre milionë euro maska nuk kemi nevojë dhe nuk kemi buxhet”, ka thënë Gaxherri.

Por ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryeparlamentares Vjosa Osmani. Ajo në kundërreplikë ndaj deputetes Besa Gaxherri tha se e sheh më të arsyeshme t’u dhurojë qytetarëve maska shumëpërdorimshme sesa shfrytëzim të buxhetit të ekonomisë për telefona, laptopë dhe vetura të blinduara.

“Ka kërkesa tejet të mëdha nga qytetarët në Kosovë për maska me shumë përdorime, që do të mbronin qytetarët. Tani është pikërisht gjendja ekonomike e qytetarëve që më ka detyruar të bëjë një amendament të tillë. Ne brengosemi për tre milionë euro që do të shfrytëzoheshin për maska shumëpërdorimëshe për qytetarët e Kosovës, por ne do të duhej të brengoseshim për shumë shpenzime të tjera luksi që janë propozuar nga institucionet të tjera në atë buxhet”, tha Osmani, raporton “Zeri.info”.

Osmani tha se mobilet e reja mund të presin, pasi sipas saj nuk ka institucion që nuk i ka orenditë e shfrytëzueshme. "Përderisa buxheti është paraparë për mobilje, telefona të rinj, laptopa madje për vetura të blinduara, më mirë është që ajo shumë të shfrytëzohet që t’ia lehtësojmë barrën ekonomike qytetarëve që kanë nevojë”, tha Osmani.

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, tha se deputetët po mbajnë maska që i marrin falas në Kuvend, derisa nuk po pajtohen që të njëjtat të shpërndahen edhe për qytetarët.

“Ku e ke marrë maskën që e ke vnu sot, e ke marrë në Kuvend edhe po thu jo maska për qytetarët”, tha ajo, duke iu drejtuar deputetes së LDK-së, Besa Gaxherri. /Zëri