Pacolli denoncon në Kuvend: Qytetarët që kanë simptoma nuk testohen, po testohen njerëzit me pushtet

Pacolli denoncon në Kuvend: Qytetarët që kanë simptoma nuk testohen, po testohen njerëzit me pushtet

Aktuale July 14, 2020 - 12:02

Deputetja e LVV-së, Fitore Pacolli, ka kërkuar të diskutohet në seancë se kush po testohet dhe kush jo në Kosovë. Ajo ka ngritur shqetësimin se qytetarët e thjeshtë që po kërkojnë t’u bëhet testi e të cilët dyshojnë se vuajnë nga simptoma të koronavirusit nuk po testohen, por po kthehen mbrapsht, raporton “Zeri.info”.

Pacolli ka thënë se testet po u bëhen personave të njohur e sidomos nga LDK-ja dhe jo qytetarëve të thjeshtë.

Ajo i ka bërë këto komente gjatë një replike me deputeten e LDK-së Besa Gaxherrin, e cila tha se nuk duhet të “gozhdohen” njerëzit që po bëjnë teste.

Gaxherri tha se është turp që të diskutohet se kush është privilegjuar për t’u testuar nga Instituti.

“Unë mendoj se të gjithë deputetët duhet të testohen, asnjë nuk është këtu që se ka rastin 99 për qind me qenë i infektuar. Jo ne të shkojmë në Infektivë, por ata duhet të vijnë këtu të na i marrin mostrat, ta shohim kush është i infektuar”, tha ajo, raporton “Zeri.info”.

Deputetja Pacolli ka këmbëngulur që të dihet se kush po testohet dhe kush jo.

“Ka shumë qytetarë që kanë simptoma dhe nuk testohen. Ka shumë familje që kanë shkuar me gjithë fëmijë të testohen dhe janë kthyer, nuk janë testuar”, ka thënë Pacolli.

Pacolli ka akuzuar LDK-në se nëpër institucione ka testuar njerëzit e LDK-së dhe jo punëtorët tjerë të po atij institucioni.

“Ka mjaft të LDK-së që janë testuar pa simptoma, ndërsa punëtorët që kanë punuar në institucione të njëjta nuk janë testuar. Dy-tri herë ka zyrtarë që u nënshtrohen testeve me anëtarë të familjeve””, ka thënë Pacolli.

Ministri Zemaj ka bërë thirrje që të mos deklarohen të pavërteta në Kuvend, pasi sipas tij gjendja po menaxhohet mirë. /Zëri