BIK-u merr masa të reja, kufizon numrin e personave brenda xhamive
Foto:Laura Hasani

BIK-u merr masa të reja, kufizon numrin e personave brenda xhamive

Aktuale July 12, 2020 - 15:45

Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka vendosur që në xhami nuk mund të hyjnë më shumë se 50 persona për të kryer faljen. Ky vendim sipas kësaj bashkësie është marrë si masë parandaluese kundër përhapjes së pandemisë COVID-19.

Në një adresim publik, myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, ka njoftuar për masat e reja që ka marrë BIK-u, ndërsa ka lutur institucionet të mos marrin vendim për të mbyllur xhamitë, pasi sipas tij masat e reja që ka rekomanduar kjo bashkësi fetare janë të mjaftueshme për këtë fazë, transmeton Zeri.info.

Disa nga masat e reja që ka ndërmarrë BIK-u, janë; pezullimi i të gjitha aktiviteteve fetare sikur janë ligjëratat dhe tribunat, pezullimin e mësimbesimit dhe shkollës verore nëpër të gjitha xhamitë e Kosovës. Po ashtu obligohen imamët të kujdesën për mbajtjen distancën fizike të besimtarëve brenda xhamive, kufizimin e faljes në ambientet e mbyllura të xhamisë, jo më shumë se 50 persona

“Ftojmë institucionet e vendit të mos të ngutën në marrjen e vendimit për mbylljen e xhamive, sepse konsiderojmë se vendimet e masat e marra nga ne janë të mjaftueshme në luftimin e pandemisë në këtë fazë”, ka thënë myftiu Tërnava.

Ai ka lutur besimtarët që të respektojnë masat kundër pandemisë, siç janë bartja e maskave, përdorimi i sexhades personale, të moshuarit mbi 65-vjeç dhe ata me sëmundje kronike të falen në shtëpi. /Zëri