Pacolli: Kosova në organizatat ndërkombëtare po përfaqësohet me fusnotë, pa Republikë

Pacolli: Kosova në organizatat ndërkombëtare po përfaqësohet me fusnotë, pa Republikë

Aktuale July 12, 2020 - 12:19

Lëvizja Vetëvendosje, përmes një video incizimi ka paraqitur punën e grupit të saj parlamentar dhe iniciativën e deputetes Fitore Pacolli që Republika e Kosovës të përfaqësohet me emrin e saj kushtetues në arenën ndërkombëtare.

“Shumë kompromise janë bërë me Republikën përgjatë negociatave Kosovë-Serbi. Një nga këto kompromise është edhe ai i vendosjes së fusnotës (*), ku Kosova në arenën ndërkombëtare nuk do të paraqitej me emrin e saj kushtetues ‘Republika e Kosovës’, por si ‘Kosovo’”, thuhet në njoftim.

Sipas Fitore Pacollit, deputet e LVV-së, në dialogun Kosovë-Serbi, Kosova kishte bërë kompromis me emrin e saj kushtetues, me ç’rast Republika e Kosovës do të përfaqësohej me fusnotë, pa Republikë. Kjo, sipas saj vlente për të gjithë organizmat ndërkombëtar.

“Njëjtë ka ndodhur deri sivjet edhe me Procesin e Bashkëpunimit të Evropës Juglindore (SEECP), ndonëse Kosova ishte pranuar me të drejta të barabarta në të gjitha nivelet. Kjo organizatë është organizatë rajonale e themeluar në vitin 1996 për të thelluar bashkëpunimin rajonal në mes të shteteve të Evropës Juglindore. Kjo organizatë ka 13 anëtarë përfshirë edhe Kosovën. Në samitin e Bërdos në vitin 2018 kur Kosova po merrte kryesimin është kushtëzuar që: Kosova të paraqitet me fusnotë. Të gjitha takimet që do të mbaheshin në Kosovë të mbahen në ambiente neutral. Të gjitha dokumentet duhet të dërgohen në format neutral dhe pa ekspozim të simboleve shtetërore”, deklaron Pacolli.

E gjithë kjo, sipas Pacollit, ka përfunduar në janar të këtij viti kur ajo mori kryesimin e Komisionit të përhershëm Qendror.

“Në të gjitha dokumentet që kam dërguar kam vendosur stemën e Kuvendit të Kosovës dhe fjalët ‘Republika e Kosovës’. Përveç se Greqisë dhe Serbisë nuk kishte kushtëzime nga shtetet tjera. Të gjitha shtetet pjesëmarrëse votuan me stemën e Kuvendit dhe fjalët ‘Republika e Kosovës’, pa fusnotë”, deklaron ajo në video mesazhin e publikuar.

Sipas saj këtë praktikë nuk po e ndjekë Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës.

“Dokumentet e dërguar nga MPJ nuk përmbajnë stemën dhe fjalët Republika e Kosovës, kjo në përputhje me kushtet e vendosura në samitin e Bërdo-s 2018. Kosova duhet të sillet ashtu edhe si është pranuar, anëtare me kushte të barabarta me të gjitha shtetet në të gjitha nivelet e SEECP-së”, ka deklaruar Pacolli. /Zëri