Deputetja Kollçaku: Papërgjegjësia e deputetëve po e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit

Deputetja Kollçaku: Papërgjegjësia e deputetëve po e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit

Aktuale July 12, 2020 - 12:08

Deputetja e Vetëvendosjes, Fatmire Mulhaxha-Kollçaku, ka reaguar pas rasteve të shtuara me COVID-19 në Kuvendin e Kosovës, si dhe Qeveri.

Kollçaku ka thënë se në seancat në dy javët e ardhshme nuk do duhej të merrnin pjesë shumë deputetë dhe zyrtarë qeveritarë, pasi sipas rekomandimeve përveç personave që dalin pozitiv edhe rastet e kontaktit duhet të qëndrojnë në vet izolim 14 ditë, transmeton Zeri.info

“Nëse këto ditë po bëhet testimi vetëm për kontaktet me simptoma, si dhe vazhdon qëndrimi për veti zolim 14 ditor të kontakteve të afërta edhe pa simptome, atëherë në seancat në dy javët e ardhshme nuk do duhej të merrnin pjesë shumë deputetë dhe zyrtarë qeveritarë. Pra, të gjithë ata që janë në procedurë për testim dhe duhet të jenë në vet izolim, nuk guxojnë të jenë të pranishëm në Kuvend në këtë rast”, ka shkruar Kollçaku në Facebook.

Sipas saj fshehja e fakteve të tilla është shkelje e rëndë dhe rrezikim i shëndetit publik, duke thënë se papërgjegjësia e disa deputetëve po e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit.

”Në fakt, papërgjegjësia e deputetëve të caktuar e vë në pikëpyetje funksionalitetin e Kuvendit të Kosovës për dy javët e ardhshme. A thotë kështu manuali apo jo? Apo ai vlen vetëm për qytetarët e rëndomtë?”,ka shkruar ajo./Zëri