Bajrami: Nuk do të ndërhyjë asnjëherë në fjalosje në mes të deputetëve

Bajrami: Nuk do të ndërhyjë asnjëherë në fjalosje në mes të deputetëve

Aktuale July 11, 2020 - 19:55

Përplasja e djeshme në Kuvendin e Kosovës nuk u la pa reagime të shumëta si nga brenda ashtu edhe nga jashtë vendit.

Një sqarim në lidhje me këtë situatë e ka bërë edhe Ministrja e Financave, Hykmete Bajrami.

Bajrami, përmes një postimi në “Facebook”, ka sqaruar se ajo nuk do të ndërhyjë asnjëherë në raste të fjalosjeve apo acarimeve në mes të deputetëve.

“Kushdo që ka pritur që unë të hyj në mes të deputetëve kur ata fjalosen e acarohen ka pasur pritje të gabuara. Situata të tilla janë të papranueshme dhe duhet të adresohen aty ku e kanë vendin e jo në adresën time. Jam Ministre e Financave dhe i gjithë fokusi im është te adresimi i problemeve ekonomike të qytetarëve, të bizneseve, të atyre që po mbesin për çdo ditë pa punë shkaku i pandemisë”, shkruan Bajrami në postimin e saj.

Sipas saj, për të, e vetmja brengë dhe angazhim në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës do të jetë në funksion të rimëkëmbjes ekonomike dhe mirëqenies së qytetarëve.

“Jam dakord plotësisht me reagimin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës ku u bëhet thirrje të gjithëve që mos të përdoret Parlamenti për sulme personale”, thekson ajo.

Bajrami shton se janë qytetarët ata që “po humbin për çdo ditë me secilën shtyrje që po u bëhet punëve në Parlament. Prej marrëveshjeve ndërkombëtare e deri te shtyrja e rishikimit të Buxhetit”.

Ministrja ka kërkuar që të lihen anash inatet personale dhe fokusi të jetë në rimëkëmbjen ekonomike.

“Do të kemi kohë për luftë politike dhe qërim të hesapeve personale kur shteti të rimëkëmbet nga pandemia. Deri atëherë ruajeni shëndetin”, përfundon Bajrami./Zëri