OEK paralajmëron: Mbyllja e bizneseve fatale për ekonominë

OEK paralajmëron: Mbyllja e bizneseve fatale për ekonominë

Aktuale July 11, 2020 - 14:13

Pas paralajmërimit për shpallje të gjendjes së jashtëzakonshme, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës (OEK), Berat Rukiqi, ka thënë se mbyllja e bizneseve e dërgon vendin në kataklizëm ekonomik. Sipas tij çdo gjendje e jashtëzakonshme, që përfshin mbyllje të bizneseve, do të jetë fatale për ekonominë.

“Nëse gjendja e jashtëzakonshme shpallet për të mundësuar masa më të rrepta në luftën me pandeminë, atëherë këto masa të mos ndërmerren në kurriz të ekonomisë në tërësinë e vet. Masat duhet të ndërmerren ndaj atyre bizneseve që nuk respektojnë rregullat dhe masat parandaluese”, ka thënë Rukiqi në deklaratën e tij të bërë publike në rrjetin social Facebook.

Ai thotë se çdo dekret-ligj për gjendjen e jashtëzakonshme, duhet të përfshijë, zbatimin obligativ të dispozitave të forcës madhore në marrëdhëniet kontraktuale në raportet e biznesit me bizneset tjera, të biznesit me bankat, si dhe të biznesit me organet shtetërore. /Zëri