Reagon Pacolli: Puna e Ganimete Musliut nuk është puna e parlamentares, por e bullizmit

Reagon Pacolli: Puna e Ganimete Musliut nuk është puna e parlamentares, por e bullizmit

Aktuale July 11, 2020 - 13:25

Zënka në mes deputetes së PDK-së, Ganimete Musliu dhe asaj të LVV-së, Fitore Pacolli, mbrëmë u bë arsye që të anulohet seanca e Kuvendit të Kosovës. Në mënyrë indirekte kjo përshkallëzoi përplasjen verbale ndërmjet kryeparlamentares, Vjosa Osmani dhe bashkëpartiakut të saj, Xhavit Ukaj.

Ganimet Musliu akuzon se njerëz të afërm të Fitore Pacolli përmes një faqe online në Facebook, kanë përhapur lajme gjoja se ajo është me COVID-19, dhe përkundër kësaj po shëtitet në qytet dhe nuk po i ndalon kontaktet me njerëz.

Përmes një postimi në Facebook, Pacolli e akuzon Musliun për bullizëm, pasi sipas saj deputetja e PDK-së qe një kohë të gjatë nuk e lë të qetë brenda objektit të Kuvendit, përcjell Zëri.

“Deputetja Musliu gjatë kohës kur jemi në seanca parlamentare ushtron presion përmes gjesteve që bënë dhe fjalëve që i drejton vazhdimisht dhe sistematikisht. Ajo përdor telefonin e saj si mjet shantazhi. Ajo me telefonin e saj më incizon gjatë tërë kohës. Provon të më shantazhoj sa herë që flas kinse ka video për mua dhe mund ta publikoj në momentin që ajo dëshiron. Këtë e bënë duke ngritur dorën dhe thërret emrin tim duke drejtuar gishtin drejt telefonit të saj”, shkruan Pacolli.

Tutje ajo thotë se disa muaj më parë është publikuar një video që Musliu e kishte realizuar duke e incizuar atë përderisa ishte në sallë duke bërë punën e deputetes.

“Video e publikuar është incizuar nga vet deputetja Musliu dhe është shpërndarë nga njerëzit e saj e shoqëruar me një tekst fyes. Deputetja Musliu gjatë kohës kur jemi në seanca parlamentare ushtron presion përmes gjesteve që bënë dhe fjalëve që i drejton vazhdimisht dhe sistematikisht”, thuhet në postim.

Deputetja Pacolli e akuzon Musliun për bullizëm.

“Ajo çka deputetja Musliu bënë nuk është puna e parlamentares, por e bullizmit. Ajo me nivelin e saj tenton të ngreh poshtë nivelin e gjithë parlamentit. Por, unë nuk mund dhe nuk do të adaptohem me një gjuhë jo parlamentare...”. Pranda,j sipas saj duhen zgjedhje të reja “për të zgjedhur deputete të reja që sjellin dije dhe kulturë dhe që lartësojnë kuvendin”. /Zëri