Donika Gërvalla e quan skandaloz “sulmin” ndaj Vjosa Osmanit

Donika Gërvalla e quan skandaloz “sulmin” ndaj Vjosa Osmanit

Aktuale July 11, 2020 - 12:27

Në mbrojtje të kryeparlamentares Vjosa Osmani, sot, ka dal edhe Donika Gërvalla Schëarz .

Ajo e ka quajtur skandaloz veprimin e deputetit Xhavit Ukaj ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani.

“Sulmi i djeshëm ndaj Kryetares së Kuvendit të Kosovës është skandaloz më së paku për faktin që ishte sulm i një mashkulli primitiv ndaj një femre dinjitoze, një nëne dhe një profesoreshe. Sulmi i djeshëm paraqet një sulm të palejueshëm ndaj Kuvendit të Republikës së Kosovës, institucionit më të lartë të vendit, të zgjedhur direkt me votat e qytetarëve. Para syve të të gjithëve, me kamera të ndezura. Nuk duhet shumë imagjinatë për të përfytyruar se çfarë bëjnë këta kur mendojnë që nuk i sheh kush”, ka thënë ish aktivistja e LDK-së në Gjermani, Gërvalla- Schwarz.

Gërvalla më tutje akuzon LDK-në se ka humbur orientimin.

“Që ‘Lidhja’ e Isa Mustafës e ka humbur tërësisht orientimin e sheh edhe në heshtjen që i ka kapluar mbrëmë dhe sot përgjegjësit kryesorë të kësaj partie, duke filluar që nga kryetari dhe nënkryetarët e partisë e duke përfunduar me kryeministrin kukull dhe ministrin e tij të brendshëm. Për femrat në kryesi dhe në Kuvend të mos flasim fare, ato janë aty pikërisht sepse as nuk i pyet njeri dhe as nuk i dëgjon njeri për asgjë”, ka thënë ajo.

Akuzat drejt Fatmir Sejdiut dhe Nexhat Dacit për ndarjen e LDK-së, Gërvalla- Schwarz thotë se janë të pa baza karshi copëtimit, sipas saj, që po i bënë Isa Mustafa kësaj partie.

“Nëse Sejdiu dhe Daci e ndanë LDK-në në dy pjesë, Isa Mustafa me njerëzit e tij LDK-në e bënë copë-copë. Struktura bazë, pra nëndegët, janë pajtuar ndërkohë me shkatërrimin total të LDK-së dhe nuk iu ndihet zëri”.

Sipas Gërvalla- Schwarz zgjedhjet e ardhshme që mbahen në Kosovë do ta fundosin LDK-në.

“Zgjedhjet e ardhshme vërtet do ta fundosin LDK-në, dhe këtë ndërkohë e di gjithkush. Ndryshe nuk shpjegohet shfrenimi dhe nervoza në debatet publike të atyre pak mbështetësve të këtij kursi të "Lidhjes" së Isa Mustafës. Në mungesë të një alternative serioze për votuesin tradicional dhe të mirëfilltë të LDK-së, ky përsëri do të mbetet jetim dhe i papërfaqësuar në Kuvend dhe Qeveri. Mungesa e një partie të mirëfilltë të qendrës, Kosovës edhe për shumë vite do t'ia zgjasë mungesën e stabilitetit politik”, ka thënë Gërvalla- Schwarz./Zëri