Kryeministri Hoti :  “Masakra Srebrenicës” i ndodhi edhe popullit të Kosovës

Kryeministri Hoti : “Masakra Srebrenicës” i ndodhi edhe popullit të Kosovës

Aktuale July 11, 2020 - 12:00

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti ka përkujtuar 25 vjetorin e gjenocidit serb në Srebrenicë duke e ndërlidhur edhe me krimet që kanë ndodhur në Kosovë nga forcat serbe, transmeton Zeri.info

Hoti ka thënë se populli i Kosovës bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

Kryeministri Hoti ka thënë se një tragjedi e tillë i ndodhi edhe popullit të Kosovës i cili pësoi vuajtje nga i njëjti agresor.

“Barbaria që ndodhi më 11 korrik 1995 në Srebrenicë, paralajmëroi se tragjedi të tilla përmasash apokaliptike mund të ndodhin edhe më vonë dhe për fat të keq ato ndodhën! I ndodhën edhe popullit të Kosovës, i cili, po ashtu, pësoi vuajtje dhe tragjedi të mëdha nga i njëjti agresor që në prag të shekullit XXI, me qëllim të mbizotërimit në rajon, po synonte zhbërjen e etnive të tjera”, ka shkruar ai në Facebook.

Po ashtu, Hoti thotë se populli i Kosovës bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës.

“Por, ndonëse me vonesë, pasi kishin ndodhur shumë gjakderdhje, ndërsa qindra-mijëra jetë njerëzish ishin shuar, bota demokratike ndërhyri për t’i shpëtuar popujt e shtypur dhe për ta ndalur njëherë e përgjithmonë makinerinë e Millosheviqit. Populli i Kosovës, që e përjetoi edhe vetë gjenocidin serb gjatë viteve 1998-’99, bashkëndien me popullin e Bosnjës dhe Hercegovinës”, ka thënë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti. /Zëri