Krerët e komunave përkrahin Hotin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Krerët e komunave përkrahin Hotin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme

Aktuale July 11, 2020 - 11:03

Pas takimit virtual të kryeministrit Hoti me kryetarët e komunave të Kosovës, ku u diskutua rreth gjendjes në përballje me COVID-19, kryeministri bëri të ditur se ka marrë mirëkuptimin prej tyre për masat shtesë që duhet të merren për javët në vijim.

Hoti më tutje ka treguar se në bashkëbisedim më kryetarët e komunave ka dhënë detaje për angazhimin e qeverisë në krijim të kapaciteteve shtesë në shëndetësi, përcjell “Zeri.info”.

“I informova për angazhimin e Qeverisë për të krijuar kapacitete shtesë shëndetësore në QKUK, në spitalet rajonale dhe në spitalet private, pastaj për rritjen e kapaciteteve testuese dhe decentralizimin e testimeve në regjione dhe në spitale private, për angazhimin e stafit shëndetësor në nivel vendi etj.Do të na duhet një koordinim shumë më i ngushtë i inspektorateve për të mbikëqyrë zbatimin e masave, me mbështetje të policisë. I falënderova komunat për mbështetjen që i kanë dhënë policisë me logjistikë gjatë kësaj kohe”, ka shkruar Hoti.

Pas shtimit të numrit të personave të prekur nga COVID-19, Hoti i ka paralajmëruar krerët e komunave se duhet të konsiderohet shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme.

Për këtë, Hoti thekson se ka marrë përkrahjen nga Këshilli i Kryetareve.

“I njoftova kryetarët se me këtë trend të të prekurve me covid-19, ne duhet të konsiderojmë shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.Këshilli i Kryetarëve në kuadër të Asociacionit të Komunave të Kosovës përkrah masat e reja të Qeverisë së Kosovës, përfshirë gjendjen e jashtëzakonshme, në luftë për parandalimin e përhapjes së COVID 19 për ruajtjen e jetës së qytetarëve. Gjendja e jashtëzakonshme nuk nënkupton paralizim të biznesit dhe institucioneve, por u jep autorizime institucioneve përkatëse të ndërmarrin masa të shpejta dhe fleksibile karshi situatës së krijuar”, ka shkruar Hoti