Osmani: Nuk do të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për viktimat

Osmani: Nuk do të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për viktimat

Aktuale July 11, 2020 - 10:52

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani ka përkujtuar masakrën e Srebrenicës duke kërkuar paqe dhe drejtësi për viktimat e kësaj masakre, transmeton Zeri.info

“Në këtë vend ndodhi gjenocidi i paparë në historinë më të re njerëzore”, ka thënë ajo.

Në një postim në Facebook, Osmani tha se Srebrenica u bë vend varrezë e mbi 8 mijë burra e djem që u vranë nga regjimi gjenocidal serb, vetëm pse siç shprehet ajo “i takonin një entiteti tjetër”.

“I shpallur në korrik të vitit 1995 "vend i sigurt", nga OKB-ja, Srebrenica u shndërrua në vendin ku ndodhi gjenocidi i paparë në historinë më të re njerëzore. Ky vend u bë vend varrezë për mbi 8 mijë burra e djem boshnjakë, të cilët u vranë nga regjimi gjenocidal serb vetëm pse i takonin një entiteti tjetër”.

Kryeparlamentarja Osmani është shprehur se 25 vjet më pas ende thërret Srebrenica, kurse Serbia ende e mohon krimin e bërë.

Osmani ka thënë se asnjëherë nuk do të ketë paqe pa drejtësi për viktimat.

“25 vjet më pas Srebrenica ende thërret! 25 vjet më pas, Serbia ende mohon krimin. Dhimbja për viktimat nuk ka përkatësi, ndaj sot bashkëndjejmë me familjet e viktimave. Nuk do të ketë asnjëherë paqe të qëndrueshme pa drejtësi për viktimat. Srebrenica, kurrë më”, ka thënë Osmani. /Zëri