Infektuar: 10988
Shëruar: 6616
Vdekur: 373
Bahtiri kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, COVID-19 nuk mund ta luftojmë me ushtri
Foto: Laura Hasani

Bahtiri kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, COVID-19 nuk mund ta luftojmë me ushtri

Aktuale July 11, 2020 - 10:28

Kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri deklarohet kundër shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme si pasojë e rritjes së numrit të të infektuarve nga COVID-19 në Kosovë.

Bahtiri përmes një postimi në “Facebook”, thotë se nëse ndodhë kjo atëherë vendi do të përballet me pasoja ende më të mëdha se sa në gjendjen në të cilën ndodhemi tani, përcjell “Zeri.info”.

Sipas tij koronavirusi nuk luftohet me ushtri e masa që shkatërrojnë ekonominë e vendit. Ai ka theksuar se Qeveria aktuale nuk mund të shtrijë pushtetin e kësaj gjendje në terë territorin e vendit.

“Një armik të padukshëm, siç është koronavirusi COVID-19 nuk mund ta luftojmë me ushtri e me masa që do ta shkatërrojnë ekonominë e shtetit, e cila po kalon edhe ashtu në situatën më të rëndë që nga paslufta. Arsye tjetër pse nuk duhet shpallet gjendja e jashtëzakonshme, është se Qeveria aktuale fatkeqësisht nuk do të mund ta shtrijë pushtetin e kësaj gjendje në tërë territorin e Kosovës”, u shpreh Bahtiri.

Kryetari i Mitrovicës, po ashtu ka reaguar ndaj sulmit të mbrëmshëm apo vërsuljes së deputetit të LDK-së Xhavit Ukaj ndaj kryeparlamentares Vjosa Osmani.

Këto veprime, Bahtiri thotë se nuk kanë vend në Kuvendin e Kosovës, aq më pak, siç shprehet ai ndaj Vjosa Osmanit.

“Njëkohësisht, dënoi ashpër sulmin që iu bë mbrëmë Kryetares së Kuvendit të Kosovës, znj. Vjosa Osmani nga një deputet. Veprime të tilla nuk kanë vend në Kuvendin e Kosovës, aq më pak ndaj një zonje të respektuar siç është Vjosa Osmani”, ka shkruar Bahtiri. /Zëri