Kuvendi i Kosovës më 2019 ka ndarë fonde për OJQ-të në kundërshtim me rregulloren

Kuvendi i Kosovës më 2019 ka ndarë fonde për OJQ-të në kundërshtim me rregulloren

Aktuale July 10, 2020 - 17:55

Raporti i Zyrës Kombëtare të Auditimit për vitin 2019, i cili është publikuar sot implikon Kuvendin e Kosovës se ka ndarë fonde duke shkelur rregulloren.

Madje, Kuvendi këtë e ka bërë për ndarjen e fondeve për Organizata Jo Qeveritare (OJQ).

“Sipas rregullores për shpenzimin e buxhetit të Kuvendit subvencionimi për OJQ-të duhet të jetë vetëm në interes humanitar. Ndërsa pika tjetër e këtij neni, specifikon emrat e organizatave joqeveritare të cilat mund të jenë përfitues të subvencioneve nga Kuvendi, fushëveprimi i të cilave janë aktivitetet humanitare”, thuhet në këtë raport.

Kuvendi, sipas raportit ka ndarë subvencione për dy organizata joqeveritare, fushëveprimi i të cilave nuk ka pasur të bëjë me aktivitete humanitare. “Aktivitetet me të cilat merreshin këto OJQ, kishin të bëjnë me organizimin e festivalit të filmit si dhe organizimin e festivalit tradicional të komunitetit boshnjak”.

Sipas raportit kjo kishte ndodhur, pasi kryesia e Kuvendit kishte vlerësuar si të arsyeshme ndarjen e mjeteve për këto OJQ. /Zëri