Shqipëri, bankat përgjysmojnë fitimet gjatë pandemisë

Shqipëri, bankat përgjysmojnë fitimet gjatë pandemisë

Aktuale July 10, 2020 - 16:53

Niveli i kredive me probleme është ulur në minimumin e dekadës së fundit për muajin Maj, pavarësisht situatës së rënduar financiare që shkaktoi për bizneset dhe konsumatorët mbyllja e ekonomisë nga pandemia, por fitimet e bankave rezultojnë të përgjysmuara krahasuar më një vit më parë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Banka e Shqipërisë, kreditë e këqija zbritën në nivelin 8.14% të totalit të portofolit të tyre, të ndikuara kryesisht nga moratoriumi i shtyrjes së pagesës së kësteve, i cili lehtësoi klientët që të mos paguajë kredinë për 6 muaj, ndërsa nuk e klasifikon huanë si problematike.

Vetë Banka e Shqipërisë pret një tendencë në rritje të këtij treguesi në muajin Shtator, kohë kur përfundon afati i shtyrjes së pagesave.

Statistikat e bankës qëndrore tregojnë se bankat në këtë periudhë kanë përgjysmuar fitimet, por nuk rezultojnë me humbje.

Koeficienti i normës së kthimit mbi asetet, që është fitimi para taksave, shënoi vlerën më të ulët historike në Mars, 0.44%, ndërsa në Maj ky tregues arriti në 0.88%, afro 70% më pak se një vit më parë.

Në mbledhjen e fundit Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë shtyu deri në fund të vitit ndarjen e fitimeve të bankave, si një masë e cila do të amortizojë goditjet dhe humbjet që ato mund të pësojnë për shkak të krizës së pandemisë.

Tv Klan