Miratohet Koncept-Dokumenti për kompensimin e viktimave të krimit
Foto:Laura Hasani

Miratohet Koncept-Dokumenti për kompensimin e viktimave të krimit

Aktuale July 10, 2020 - 16:00

Qeveria e Kosovës ka miratuar Koncept-Dokumentin për kompensimin e viktimave të krimit, i cili është hartuar dhe iniciuar nga Ministria e Drejtësisë me mbështetjen e Ambasadës së SHBA-së në Kosovë.

MD-ja thotë se kompensimi i viktimave të krimit është shtyllë kruciale e sistemit të drejtësisë në çdo vend, e Kosova nuk përbën përjashtim.

“Përmes këtij Koncept-Dokumenti Ministria e Drejtësisë ka paraparë rregullimin e çështjes së kompensimit të viktimave të krimit, për shkak se kanë ekzistuar mangësi ligjore, të cilat jo vetëm që e kanë vështirësuar qasjen e viktimave në programin e kompensimit, mirëpo edhe e kanë cenuar dinjitetin e tyre. Ky Koncept-Dokument ofron një analizë të thukët e cilësore mbi programin e kompensimit të viktimave të krimit në vend dhe problemeve që ekzistojnë në kuadër të kornizës legjislative, e cila rregullon fushën në fjalë”, deklaron kjo ministri në një njoftim të dërguar mediave, raporton “Zeri.info”.

MD-ja thekson se në mbështetje të kësaj analize Koncept-Dokumenti propozon ndryshimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave, gjegjësisht të dispozitave që rregullojnë veprat e kompensueshme, kushtet formale dhe materiale për kompensim, qasjen e menjëhershme në kompensim, obligimin për të kërkuar dëmshpërblim, llojet e kompensimeve, afatet ligjore etj.

Ministria e Drejtësisë shpreson se ky Koncept-Dokument do të sjellë përmirësime të dukshme në fushën e kompensimit të viktimave të krimit, andaj si i tillë beson që do të gjejë mbështetjen edhe në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

“Ministria e Drejtësisë në linjë me Planin Vjetor të Punës së Qeverisë dhe në zbatim të objektivave strategjike të parapara me Planin e saj Zhvillimor Strategjik ka iniciuar procesin e hartimit të Koncept-Dokumentit për kompensimin e viktimave të krimit”, potencoi në fund MD-ja.