Ministri Veliu kërkon raportim ditor për statusin shëndetësor të zyrtarëve të MPB-së

Ministri Veliu kërkon raportim ditor për statusin shëndetësor të zyrtarëve të MPB-së

Aktuale July 10, 2020 - 15:51

Ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, ka dalë me një vendim të ri lidhur me mbrojtjen dhe parandalimin e përhapjes së koronavirusit te punëtorët e ministrisë që ai udhëheq.

Sipas këtij vendimi, që vetë ministri e ka drejtuar te sekretari i përgjithshëm i MPB-së, Lulzim Ejupi dhe kabineti i tij, kërkohet të bëhen raportime në baza ditore për statusin shëndetësor të zyrtarëve të MPB-së, raporton “Zeri.info”.

“Duke marrë parasysh numrin në rritje të rasteve të konfirmuara me COVID-19 në Republikën e Kosovës, po ju drejtohem edhe një herë në mënyrë që të punojmë të gjithë së bashku për tejkalimin e kësaj situate të rrezikshme për ne, familjet dhe rrethin tonë. Më vetëdije të plotë se ky virus mund të prekë secilin nga ju, kam kërkuar nga sekretari i përgjithshëm i MPB-së, Lulzim Ejupi, por edhe nga stafi i kabinetit tim, të më njoftojnë në baza ditore për gjendjen-statusin shëndetësor të zyrtarëve në Ministrinë tonë”, thekson Veliu në kërkesën e tij.

Sipas ministrit Veliu, ky angazhim objektiv primar ka arritjen e menaxhimit dhe kontrollimit sa më të mirë të një situate të rrezikshme për shëndetin e zyrtarëve, familjeve dhe rrethit në përgjithësi.

“Apeloj dhe kërkoj nga secili nga ju t’i përgjigjeni kësaj thirrjeje nga ana ime, kërkesave nga Zyra e Sekretarit të Përgjithshëm dhe nga kabineti im, por edhe rregullave dhe kufizimeve, si nga ana e Qeverisë së Republikës së Kosovës, ashtu edhe rekomandimeve të IKSHPK-së”, thuhet në apelin e drejtuar nga ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu. /Zëri