U mbajt provimi i Maturës për nxënësit e pranuar në universitetet ndërkombëtare

U mbajt provimi i Maturës për nxënësit e pranuar në universitetet ndërkombëtare

Aktuale July 10, 2020 - 15:50

Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) ka njoftuar se sot është mbajtur provimi i Maturës për nxënësit që janë pranuar në universitetet jashtë Kosovës dhe u janë kërkuar pikët në Testin e Maturës.

Sipas njoftimit për media, thuhet se provimi është mbajtur me 103 nxënës, përcjell “Zeri.info”.

Testimi i këtyre nxënësve është mbajtur në dy qendra.

“Me vendim të Këshillit Shtetëror të Maturës (KSHM), provimi është mbajtur për 103 nxënës të paraqitur për të hyrë në Testin e Maturës e që si dëshmi e kanë pasur dokumentin e pranimit në universitete ndërkombëtare. Testimi i këtyre maturantëve është organizuar në dy qendra: në shkollën ‘Xhevdet Doda’ në Prishtinë, ku janë testuar 61 nxënës nga disa rajone të Kosovës dhe në shkollën ‘Gjon Buzuku’ në Prizren, ku testit i janë nënshtruar 42 maturantë nga kjo komunë”, thuhet në komunikatë.

Në fund, nga MASH-i thonë se provimi i Maturës për këta nxënës ka shkuar sipas planifikimit dhe duke i respektuar të gjitha masat e rekomanduara nga IKSHP-ja dhe MSH-ja për mbrojtje nga virusi COVID-19.

Rezultatet për nxënësit e testuar sot do të bëhen publike të hënën, 13 korrik 2020.