LVV-ja publikon rezultatet e sondazhit: Kurti fitues me 47,8%, LVV-ja me 56 ulëse në Kuvend

LVV-ja publikon rezultatet e sondazhit: Kurti fitues me 47,8%, LVV-ja me 56 ulëse në Kuvend

Aktuale July 08, 2020 - 15:33

Në rezultatet e sondazhit të përgatitur nga Lëvizja Vetëvendosje në muajin qershor, me 47,8% fitues i sondazhit ka dalë Albin Kurti.

Nga kjo parti përmes një postimi në “Facebook” kanë thënë se qeverisë “Kurti” iu deshën vetëm 120 ditë qeverisje për ta marrë mbështetjen e popullit dhe për të arritur një përqindje aq të lartë, e krahasuar me të gjitha partitë tjera politike, shkruan “Zeri.info”.

“Kanë mjaftuar vetëm 120 ditë të qeverisë ‘Kurti’ për ta përmbysur komplet skenën politike në vend. Qytetarët e vendit kanë dëshmuar mbështetjen e fuqishme për qeverinë ‘Kurti’ dhe vendimet e saj. Në sondazhin e muajit qershor qytetarët kanë shprehur përkrahje të madhe për Lëvizjen Vetëvendosje dhe Albin Kurtin”, kanë shkruar nga LVV-ja.

Siç janë përgjigjur qytetarët në këtë sondazh, nëse zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, sipas rezultateve, Lëvizja Vetëvendosje do të kishte 56 ulëse, ndërsa si kandidat Kurti 47,8% të votave, përqindje kjo sipas tyre e paarritshme edhe nëse të gjithë liderët e tjerë bëhen bashkë.

“Në rast se zgjedhjet do të mbaheshin në qershor, atëherë Lëvizja Vetëvendosje do të kishte 56 ulëse në Kuvend, ndërkaq si kandidat për kryeministër Albin Kurti gëzon mbështetjen e 47,8%, të gjithë liderët e tjerë politikë së bashku nuk arrijnë këtë përqindje të mbështetjes.

Në këto matje të opinionit nuk përfshihet mërgata”, kanë shkruar nga LVV-ja.