Kufizohet lëvizja e qytetarëve dhe gastronomia prej orës 21 deri në 5 të mëngjesit

Kufizohet lëvizja e qytetarëve dhe gastronomia prej orës 21 deri në 5 të mëngjesit

Aktuale July 05, 2020 - 14:40

Kryeministri i vendit Avdullah Hoti ka mbajtur takim me krerët e institucioneve shëndetësore për zhvillimet e fundit të pandemisë dhe moslejimin e përhapjes së virusit më tej.

Hoti fillimisht deklaroi se çfarë masa do të ndërmarrë qeveria për Klinikën Infektive ku tha se do të krijohen kapacitete shtesë për shtretër dhe pajisje, blerje e aparaturave të reja, 100 mijë teste shtesë dhe 500 mijë vaksina kundër COVID-19 në përputhje me protokollet e OBSH-së.

“Do të kujdesemi që të krijojmë kapacitete shtesë me shtretër dhe pajisje. Spitalet Rajonale e edhe spitalet private do të vënë në dispozicion shtretërit e tyre në qendrën klinike. Do të blejmë edhe 7 aparatura shtesë të testimit, 1 për ne Institutin në Prishtinë dhe 6 të tjera në qendrat rajonale. Do të merremi me krijimin e kapaciteteve që të bëhen deri në 500 teste në ditë brenda javës do të licensojmë institucionet private shëndetësore që të kryejnë teste virologjike, do të fillojnë procedurat urgjente për të blerë 100 mijë teste shtesë por do të bëjmë një formë të prioritetit se kush do të testohet. Do ta vëmë buxhetin në dispozicion për të siguruar vaksina sezonale deri në 500 mijë për të siguruar vaksina COVID në përputhje me protokollet e OBSH-së, për të blerë edhe 7 aparatura shtesë do të porosisim 20 mijë doza për terapi për personat e prekur”, u shpreh Hoti, raporton Zeri.info.

 Hoti tha se në mbledhjen e qeverisë e cila do të mbahet sonte do të vendoset që komunat të cilat janë më të prekura me koronavirus t'i kufizohet orari i lëvizjes prej orës 21 deri në 5 të mëngjesit, raporton Zeri.info.

“Në qytetet ku ka numër te madh do të kufizohet plotësisht lëvizja. Nga Sonte në Prishtinë, Prizren, Ferizaj, Vushtrri. Do te kufizojmë komplet lëvizjen nga ora 21 deri në orën 5 në mëngjes. Do të përcjellim pastaj lëvizjet dhe numrin e të infektuarve”, ka deklaruar Hoti.

Tutje shtoi se gastronomia do të funksionojë me orar të kufizuar ku prej orës 21:00 deri në 05:00 të mëngjesit do të qëndrojë e mbyllur.

“Mbyllen të gjitha lokalet e gastronomisë nga ora 21 deri në orën 5 të mëngjesit. Jashtë kufizimit lejohet puna vetëm në hapësira të hapura dhe shërbimin ‘merre me vete’. Numri i njerëzve përgjysmohet nëpër autobusë”, tha tutje Hoti.

Kryeministri Hoti ka thënë se do të reduktohen punëtorët e institucioneve dhe do të punohet vetëm me staf esencial. Sipas rregullores, Hoti ka thënë se do të përcaktohet se çfarë do të nënkuptohet me staf esencial.

Kryeministri potencoi se numri i njerëzve që do të shfrytëzojnë transportin publik do të përgjysmohet. /Zëri