AGK dënon ashpër gjuhën e përdorur nga Gani Koci i PDK-së ndaj gazetares Jeta Xharra

AGK dënon ashpër gjuhën e përdorur nga Gani Koci i PDK-së ndaj gazetares Jeta Xharra

Aktuale July 03, 2020 - 19:46

Gani Koci, ish-zëvendës ministër i Zhvillimit Ekonomik nga radhët e PDK-së, në një postim në rrjetin social Facebook, ka shkruar se, "Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!".

Në fotografitë e bashkëngjitura në postimin e Kocit ndër disa persona është edhe foto gazetares, Jeta Xharra.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) përmes një komunikate e ka dënuar ashpër gjuhën e përdorur nga, siç thonë, zyrtari i lartë i PDK-së, Gani Koci, në drejtim të gazetares Jeta Xharra.

Për AGK-në, kjo mënyrë e shprehjes ndaj gazetarëve përbën një sulm ndaj lirisë së shprehjes.

“Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve, por edhe për demokracinë në vend. Gazetarët kanë të drejtë të kryejnë punën e tyre lirshëm, pa pasur frikën ndaj etiketimeve të kësaj natyre”, thuhet në reagimin eAGK-së.

Përmes komunikatës, AGK u bënë thirrje të gjithë zyrtarëve politikë të ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbejë opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë./Zëri