Infektuar: 5118
Shëruar: 2370
Vdekur: 108
Nga një infermier për dasmë – ky është një nga kushtet për mbajtjen e dasmave

Nga një infermier për dasmë – ky është një nga kushtet për mbajtjen e dasmave

Aktuale June 30, 2020 - 16:34
Image

Nesër pritet të merret vendimi për lejimin e dasmave dhe ahengjeve tjera të cilat ishin të ndaluara nga marsi i këtij viti për shkak të pandemisë.

Lejimi i mbajtjes së dasmave pritet të bëhet duke zbatuar manualin për mbrojtje nga COVID-19, ku një nga rregullat do të jetë vendosja e një infermieri që do të bëjë kontrollimin e të gjithë dasmorëve në hyrje të sallës, shkruan Zeri.info.

Shoqata e hotelerisë “Pro In”, ka konfirmuar për “Zërin” se nga nesër institucionet e vendit do të lejojnë organizimin e dasmave nën masa strikte kundër përhapjes së pandemisë, ndërsa kanë treguar edhe disa prej rregullave që pritet të zbatohen.

“Ministria e Tregtisë na ka konfirmuar se nesër do të dalin me një maunal që ne e kemi dërguar me masat që duhet të respektohen në secilën dasmë”, ka thënë për Zeri.info Visar Demolli nga shoqata “Pro In”.

Demolli ka treguar që secili restorant që organizon dasma do të angazhojë një infermier që do të kontrollojë dasmorët në hyrje të sallës, ndërsa ka thënë se numri i lejuar i dasmorëve deri më 1 gusht do të jetë 310.

“Jemi të gatshëm të paguajmë si restorante nga një infermier/e për secilën dasmë i/e cili/a do të kontrollojë dasmorët në hyrje të restorantit, në parahyrje do të ketë dezifektues me sensorë, kamarierët do të shërbejnë me doreza pambuku, tavolina në distancë 2.5 metra dhe maksimumi në një tavolinë 8 persona. Kemi kërkuar që nga 1 korriku deri më 1 gusht, numri i mysafirëve të jetë deri në 310 maksimumi duke pasur parasysh që shumica e sallave në Kosovë janë mbi 800m2”, ka sqaruar Demolli.

Në anën tjetër, edhe këngëtari Afrim Muqiqi, i cili është pjesë e shoqatës “Pro In”, ka konfirmuar se nga nesër do të lejohet organizimi i dasmave.

“Dasmat do të lejohen nga 1 korriku përmes një manuali që do e vendosë Ministria [e Tregtisë] dhe ne do t’i përmbahemi atij vendimi”, ka thënë Muqiqi për Zërin.

Ai ka thënë se dasmat nuk do ta rrezikojnë shëndetin e qytetarëve.

“Është e pakuptimtë që vetëm sektori jonë të mos lejohet. Mbi të gjitha, është shëndeti i njeriut, mirëpo kur të gjithë sektorët tjerë janë lejuar, nuk besoj se dasmat do të rrezikojnë shëndetin e qytetarëve”, ka shtuar Muqiqi.

“Zëri”, ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Shëndetësisë për ta konfirmuar nëse ka ndonjë vendim për lejimin e këtyre veprimtarive, por ata gjatë ditës nuk kanë kthyer asnjë përgjigje./Zëri