Infektuar: 9869
Shëruar: 5480
Vdekur: 303
Ish-luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”: Publikimi i aktakuzës, luftë kundër UÇK-së

Ish-luftëtarët e Batalionit “Atlantiku”: Publikimi i aktakuzës, luftë kundër UÇK-së

Aktuale June 29, 2020 - 13:22

Ish-ushtarët e Batalionit “Atlantiku”, formacion i UÇK-së me shqiptaro-amerikanë që ju bashkëngjitën luftës për çlirimin e Kosovës, kanë reaguar pasi Prokurori i Gjykatës Speciale para disa ditësh ka publikuar aktakuzën kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.

Përmes një deklarate dërguar mediave, ata kanë shprehur indinjatë ndaj këtij veprimi, ndërsa publikimin e aktakuzës nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, e kanë cilësuar si luftë kundër UÇK-së.

“Në SHBA veprimi i paprecedent i një prokurorie, të vendosë nën presion palën që planifikon ta akuzojë duke sulmuar publikisht të akuzuarit potencialë pa u konfirmuar aktakuza nga Gjykata, paraqet një shkelje të rëndë të drejtësisë dhe Gjykata mund të dënojë prokurorët e saj me masa drastike si mbyllja e rastit e deri te masat ndëshkuese profesionale të prokurorëve të tillë. Në Kosovë agresori ka qenë Serbia. Serbia ka qenë ajo që ka okupuar territorin e Kosovës dhe ka kryer krime të tmerrshme: duke vrarë mbi 1000 fëmijë shqiptarë; duke djegur me qindra kufoma shqiptarësh, pleq e plaka, të ekzekutuar në gjakftohtësi, në total mbi 12 000 shqiptarë të vrarë; duke dhunuar mijëra gra dhe vajza shqiptare; duke djegur, plaçkitur dhe shkaktuar dëme materiale mbi 50 miliardë euro për popullin e Kosovës dhe duke dëbuar rreth 1 milion shqiptarë nga toka dhe shtëpitë e tyre. Këto krime kundër njerëzimit kanë detyruar UÇK-në të kapë armët në dorë për të mbrojtur dhe çliruar Kosovën dhe kanë detyruar Amerikën, NATO-n dhe mbi 20 shtete demokratike të botës t’i bashkëngjiten UÇK-së si aleatë duke bombarduar Serbinë millosheviqiane deri në gjunjëzim dhe dorëzim”, thuhet në deklaratën e ish-luftëtarëve të Batalionit “Atlantiku”.

Ata më tej e kanë quajtur këtë veprim si një tentim për linçim publik kundër Thaçit dhe Veselit, pasi sipas tyre, nuk i kanë lënë hapësirë Gjykatës që ta vërtetojë ose ta hedhë poshtë aktakuzën para publikimit të saj.

“Ne, ish-ushtarët e Batalionit ‘Atlantiku’, veprimin skandaloz të Prokurorisë Speciale në Hagë për tentim linçimi kundër Thaçit dhe Veselit, pa e lënë Gjykatën të jetë instanca neutrale të marrë vendim për pranimin apo mospranimin e rastit, e shohim si delegjitimim të Gjykatës Speciale. Kjo Prokurori me tentimin e saj për linçim politik dhe, me paragjykimin e saj, edhe për linçim juridik të Thaçit dhe Veselit në opinionin publik, ka humbur besimin në profesionalitetin e saj minimal dhe bazën juridike të rastit”, theksohet në këtë reagim.

Ish-ushtarët e “Atlantikut” shprehen të bindur se Gjykata Speciale është “nën influencën e armiqve të Kosovës”.

“Ne kategorikisht refuzojmë linçimet dhe tentim-barazimin e agresorit me mbrojtësin. Jemi krenar për luftën fisnike dhe sakrificat e popullit shqiptar në Kosovë dhe të bashkëluftëtarëve të UÇK-së”, thuhet në fund të reagimit. /Zëri