ASHAK-u publikon të gjitha marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

ASHAK-u publikon të gjitha marrëveshjet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Aktuale June 09, 2020 - 12:00

Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK) ka përmbledhur në një botim të gjitha marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

ASHAK-u ka vlerësuar se dialogu Kosovë-Serbi ka pasur devijime të rënda, që kanë vendosur Kosovën në pozita inferiore, ndërsa ka bërë thirrje për transparencë, transmeton “Zeri.info”.

“Rrethanat e krijuara së fundi në Republikën e Kosovës, pas insistimit të vazhdueshëm të bashkësisë ndërkombëtare për të rinisur dialogun me Serbinë, e kanë bërë të domosdoshëm vlerësimin e arritjeve të deritashme në këtë proces përmes njohjes së plotë të marrëveshjeve të arritura jo vetëm nga institucionet përgjegjëse, nga faktori politik dhe nga grupet pjesëmarrëse, por edhe nga opinioni i gjerë.

ASHAK-u insiston se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i hapur dhe transparent, të mos zhvillohet larg syve të opinionit, sepse një njohje e plotë e opinionit me procesin e dialogut dhe me vendimet që merren me këtë rast, ndër të tjera, siguron vendimmarrje të përgjegjshme dhe adreson qartas përgjegjësinë individuale dhe institucionale të pjesëmarrësve të përfshirë në këtë proces në përputhje me rëndësinë që ka ky dialog për të ardhmen e Republikës së Kosovës.

Dialogu Kosovë-Serbi në dhjetë vjetët e shkuar ka pësuar devijime të rënda, duke e vendosur Kosovën në pozita inferiore dhe duke shkelur bazën e saj kushtetuese, me idenë se konstruktiviteti do të shpërblehet në cakun e fundit. Deri tani qëndrimi konstruktiv i Kosovës është interpretuar si gatishmëri për të bërë kompromise të paqëndrueshme, madje të tilla që lëndojnë rëndë shtetësinë e Kosovës dhe funksionimin e shtetit në tërë territorin e tij”, thuhet në komunikatën e ASHAK-ut.

Sipas Akademisë së Shkencave, përveç mungesës së një platforme dialoguese në formën e një konsensusi politik gjithëpërfshirës dhe të përbashkët, deri më tani në procesin e udhëheqjes dhe të bartjes së dialogut janë përfshirë individë, që sipas tyre shpesh nuk kanë reflektuar përgjegjësi institucionale dhe integritet personal politik dhe moral, duke i projektuar marrëveshjet me Serbinë si atribute të karrierës së tyre ose të kompromiseve dobiprurëse për besueshmërinë e tyre politike.

“Në marrëveshjet dhe dialogun me Serbinë për interesa krejtësisht joinstitucionale janë projektuar interesa partiake, biznesore private dhe oligarkike për individë dhe grupe individësh, të cilët kërkojnë që Kosova të sakrifikojë subjektivitetin shtetëror dhe pozitën e saj ndërkombëtare për favore politike dhe pushtetmbajtëse” thotë ASHAK-u.

Më tej theksohet se lojaliteti i Kosovës ndaj mbështetësve ndërkombëtarë është interpretuar nga Serbia dhe nga një pjesë e faktorit të jashtëm si gatishmëri për të bërë kompromise me pavarësinë dhe territorin e Kosovës.

Me botimin dhe publikimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi ASHAK-u synon të tërheqë vërejtjen se gabimet e deritashme në marrëveshje dhe dialog nuk mund të përsëriten në të ardhmen dhe se dialogu i pritshëm e ka të vetmen bazë në parimet themelore të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

ASHAK-u thotë se në të ardhmen do ta monitorojë nga afër procesin e dialogut dhe do t’i diskutojë në tribuna të hapura të gjitha marrëveshjet që do të arrihen me Serbinë, për ta instaluar një kulturë të llogaridhënies, që sipas tyre i ka munguar Kosovës dhe demokracisë së saj ende të brishtë dhe të lënduar nga veprime të papërgjegjshme të klasës sonë politike. /Zëri

Linku: https://www.ashak.org/repository/docs/Dialogu_Serbi-Kosove_WEB_Reduced_488067.pdf