VV: Për dy ditë, 25 mijë nënshkrime në peticionin “Duam Zgjedhje”
Foto: Laura Hasani

VV: Për dy ditë, 25 mijë nënshkrime në peticionin “Duam Zgjedhje”

Aktuale June 03, 2020 - 23:01

Lëvizja Vetëvendosje, e cila para dy dite ka nisur peticionin për zgjedhje të reja, thotë se deri tani janë mbledhur 25 mijë nënshkrime.

Vetëvendosje përmes këtij peticioni po kundërshton vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila i dha të drejt formimit të qeverisë së re, pa shkuar në zgjedhje pas mocionit që rrezoi Albin Kurtin.

“Qytetarët janë të bindur se cili është lloji i qeverisjes që i duhet vendit. Me 6 tetor ata i dhanë fund mendësisë 20 vjeçare te qeverisjes me korrupsion, krim e cenuese të sovranitetit, ndërkohë gjatë kësaj kohe jemi dëshmitarë së në Kosovë ka shpresë dhe se mund të qeveriset me duar të pastra. Ndryshimi që ka ndodhur nuk mund të kthehet mbrapa, ndërkaq zgjedhjet janë zgjidhja e vetme përpara”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Sipas tyre, ka një interesim të jashtëzakonshëm të qytetarëve për të rrezuar abuzuesit e pushtetit.

“Përmes peticionit që kemi filluar dje gjithandej Republikës janë mbledhur mbi 25 mijë nënshkrime fizike. Interesimi i jashtëzakonshëm qytetar na jep vullnet edhe më shumë që të vazhdojmë punën për të cilën jemi zotuar dhe rrugën përpara që kemi nisur. Ne do t’i rrëzojmë abuzuesit nga pushteti, sado të ndihen të fortë e arrogantë sot. ” thuhet në njoftim./Zëri