IKD-ja kërkon nga qeveria e re të mos përfshijë njerëz që kanë probleme me ligjin

IKD-ja kërkon nga qeveria e re të mos përfshijë njerëz që kanë probleme me ligjin

Aktuale June 02, 2020 - 15:12

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka kërkuar nga mandatari për kryeministër të Qeverisë së Kosovës, Avdullah Hoti, të ofrojë persona me integritet për kabinetin qeverisës, i cili pritet të dalë në votim në Kuvendin e Kosovës më 3 qershor.

IKD-ja, përmes një reagimi për medie, ka thënë se është e papranueshme për cilindo kabinet qeverisës të ketë persona që kanë probleme me ligjin.

“Arsyeja e këtij reagimi të IKD-së ka të bëjë me përfoljen në publik të propozimeve që janë bërë nga partitë politike lidhur me emrat që do të përfshihen potencialisht në kabinetin ‘Hoti’, të cilët kanë probleme me ligjin, janë të dënuar ose janë duke u përballur me aktakuza për vepra të ndryshme penale”, thonë nga ky institut.

Më tej, IKD-ja thotë se që nga shpallja e pavarësisë në vitin 2008 Kosova është ballafaquar me qeverisje, qoftë në nivelin qendror, lokal ose në atë të administratës shtetërore, me individë që kanë pasur probleme me ligjin, që kanë ndikuar në mungesë besimi dhe integriteti, qoftë në raport me qytetarët, ashtu edhe me faktorin ndërkombëtar.

Ky institut ndërkaq ka kërkuar që të iniciohet rregullimi i fushës së dekriminalizimit të politikës në Kosovës, për të cilin proces edhe ka shprehur gatishmërinë të ofrojë ekspertizën e saj.

Ndonëse ende nuk janë zyrtarizuar të gjithë emrat e kabinetit të ri qeveritar, me rastin e arritjes së marrëveshjes për koalicion mes LDK-së dhe AAK-së, kryetari i kësaj të fundit, Ramush Haradinaj, kishte njoftuar për përbërjen e posteve ministrore të partisë së tij në qeverinë “Hoti”. Në mesin e tyre ishte përmendur edhe Meliza Haradinaj-Stublla për ministre të Punëve të Jashtme.

Meliza Haradinaj-Stublla gjatë vitit të kaluar ishte dënuar me tetë muaj burgim me kusht dhe me 100 euro gjobë për akuzën: “Mosdeklarim ose deklarim i rremë i pasurisë”.

E njëjta ka qenë këshilltare e ish-kryeministrit Haradinaj dhe nga Prokuroria pretendohet se ajo përmes formularit për deklarimin e pasurisë, të Agjencisë Kundër Korrupsionit, nuk e ka deklaruar pronësinë e një biznesi të quajtur “IN MIDDLE LTD”, të regjistruar në Londër edhe pse ka qenë e obliguar të bëjë një gjë të tillë.