Manxhuka thotë LVV-ja nuk është organizatore e protestës së nesërme

Manxhuka thotë LVV-ja nuk është organizatore e protestës së nesërme

Aktuale June 02, 2020 - 13:58

Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, thotë se nga dita e sotme janë vendosur në çdo qytet të Kosovës për të mbledhur nënshkrimet për peticionin, që sipas tyre ka për qëllim zgjedhjet e reja, transmeton “Zeri.info”.

Tutje, Manxhuka ka thënë se nga peticioni online janë bërë mbi 45 mijë nënshkrime.

“Prej sot jemi vendosur në çdo qytet të Kosovës në mbledhje të nënshkrimeve për peticionin, që kërkesë të vetme ka zgjedhjet e reja. Nga peticioni online tashmë janë bërë mbi 45 mijë nënshkrime, ndërkohë që ka një fluks të madh të qytetarëve, të cilët po nënshkruajnë fizikisht”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Ndër të tjera, zëdhënësi i LVV-së ka shkruar se nuk qëndrojnë prapa organizimeve dhe ngjarjeve në rrjete sociale për protestë dhe thotë se për çdo organizim do të njoftohen qytetarët me kohë.

“Në anën tjetër, ne kemi parë shumë organizime e ‘event’-e nëpër rrjetet sociale për protestë dhe jemi duke marrë shumë pyetje nga qytetarë të shumtë, por ashtu siç jemi deklaruar edhe ditë më parë, ne nuk qëndrojmë prapa këtyre organizimeve. Po ashtu, ne i sigurojmë qytetarët dhe anëtarët se në kohë do të njoftohen për çdo organizim të Lëvizjes Vetëvendosje”, është shprehur Manxhuka, duke shtuar se nuk mund të ketë qeveri kundër vullnetit të popullit dhe se zgjedhjet janë e vetmja rrugë për të dalë nga kriza.