Përkundër numrit të të infektuarve në Vushtrri, situata është e menaxhueshme

Përkundër numrit të të infektuarve në Vushtrri, situata është e menaxhueshme

Aktuale June 01, 2020 - 22:09

Pas rezultateve të publikuara nga IKSHPK, me virusin COVID-19, pozitivë rezultuan 27 persona, ku 14 prej tyre janë nga komuna e Vushtrrisë.

Xhafer Tahiri, kryetar i kësaj komune, ka reaguar duke thënë se kjo do të jetë një betejë rraskapitëse, pasi që virusi është ende prezent, njofton Zeri.info

Tahiri tha se të gjitha rastet e sotme janë raste kontakti, të ndërlidhura familjarisht ose tërthorazi në mes veti dhe që janë shkaktuar kryesisht si rezultat i lëvizjeve të pakontrolluara gjatë një feste që thotë se "sapo e kaluam sepse nuk e kanë ditur që janë të infektuar me Covid-19".

“Për ne dhe për ju kjo betejë është rraskapitëse, çdo hapje që kemi bërë në interes të mirëqenies së qytetarëve bart edhe rrezikun me vete sepse virusi është ende në mesin tone”, ka shkruar Tahiri

Tutje ai ka thënë se mbyllja e sërishme e qytetit nuk është opsion dhe se situata është e menaxhueshme, pasi që, sipas tij, secili qytetar është përgjegjës për veten dhe familjen e tij.

Ai megjithatë luti qytetarët për kujdes.

Në fund, i pari i komunës së Vushtrrisë ka bërë të ditur se të gjitha familjet ku u regjistruan të infektuarit, janë nën kujdesin e Shtabit Emergjent Komunal dhe janë në vetizolim.