Kryeministria: Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten
Foto:Laura Hasani

Kryeministria: Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten

Aktuale June 01, 2020 - 19:29

Zyra për media e kryeministrisë ka reaguar ndaj publikimit të sotëm të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese. 

Në reagimin e kësaj zyre thuhet se edhe ata kanë pasur në posedim një kopje të dokumenteve përgatitore të Kushtetutës, dhe për pasojë konstatojnë “me përgjegjësi se Gjykata nuk ka paraqitur përmbajtjen e saktë të punës së Komisionit Kushtetues”. 

“Ky Komision shprehimisht kishte refuzuar propozimin që pas mocionit të mosbesimit të formohet një Qeveri e re. Gjykata ndër të tjera ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të Kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017”, thotë Zyra e Kryeministrit.
 
Më poshtë, lexojeni të plotë reagimin e Zyrës së Kryeministrit:

Gjykata Kushtetuese bie në kundërshtim me vetveten

Gjykata Kushtetuese sot publikoi Aktgjykimin e plotë në rastin nr. KO 72/20. Duke marrë parasysh se edhe ne kemi pasur në posedim një kopje të dokumenteve përgatitore të Kushtetutës konstatojmë me përgjegjësi se Gjykata nuk ka paraqitur përmbajtjen e saktë të punës së Komisionit Kushtetues. Ky Komision shprehimisht kishte refuzuar propozimin që pas mocionit të mosbesimit të formohet një Qeveri e re. Gjykata ndër të tjera ka paraqitur në mënyrë të shtrembëruar faktet rreth shpërndarjes automatike të Kuvendit pas mocioneve të mosbesimit në vitet 2010 dhe 2017.

Gjykata po ashtu ju referohet opinioneve të Komisionit të Venedikut përkitazi me rregullimet kushtetuese të shteteve tjera. Këto rregullime kushtetuese dallojnë thelbësisht nga rendi kushtetues i Kosovës dhe si të tilla nuk kanë asnjë relevancë për çështjen në shqyrtim. Sistemi kushtetues i Kosovës nuk ka ngjashmëri as me Moldavinë dhe as me Turqinë, e aq më pak me Mbretërinë e Bashkuar e cila ka një sistem rregullativ që bie në të drejtën zakonore.

 
Gjykata po ashtu shtrembëron përmbajtjen e Aktgjykimit KO 103/14, në të cilin shprehimisht është theksuar nga Gjykata se Presidenti konsultohet vetëm me partinë politike apo koalicionin që ka fituar shumicën, qoftë relative apo absolute. Ndërkaq ajo që Gjykata thotë tani është se në frymën e atij aktgjykimi Presidenti nuk është i detyruar të konsultojë vetëm partinë e parë.

 

Përpos kundërthënieve në lidhje me arsyetimin e neneve të Kushtetutës, procedurës së ndjekur nga Presidenti dhe kompetencave të tij në këtë fazë, paraqitjes së shtrembëruar të përgjigjeve të fituesit të zgjedhjeve, Gjykata është kundërthënëse edhe në dispozitivin e saj. Përderisa në arsyetimin e aktgjykimit (tek përfundimet) ajo thekson se gjyqtarët me shumicë kanë votuar për përputhshmërinë e dekretit të Presidentit me “... paragrafin 4 të neni 95 të Kushtetutës”, në dispozivitin e aktgjykimit është fshirë paragrafi 4. Ky nuk mund të jetë një lëshim teknik apo riformulim gjuhësor, por është paraqitje kundërthënëse e vendimit që kanë marrë gjyqtarët. Ata ose kanë votuar për nenin 95 të Kushtetutës në tërësinë e tij ose për paragrafin 4 të nenit 95.

 

Këshilltarët tanë ligjorë bashkë me ekspertë të fushës janë duke përgatitur një analizë të detajuar në lidhje me komplet aktgjykimin. Kjo analizë do të publikohet vetëm për të sqaruar absurditetin e këtij vendimi të cilin nuk mund ta pranojmë.

 

Kjo ka qenë një çështje kushtetuese tepër e thjeshtë. As 162 mijë faqe interpretimesh të shpikura, lëre më 162 faqe, nuk mund ta fshehin këtë fakt.