MEPTINIS sqaron dallimin e masave të marra ndaj Serbisë prej atyre të vendosura nga qeveria e kaluar

MEPTINIS sqaron dallimin e masave të marra ndaj Serbisë prej atyre të vendosura nga qeveria e kaluar

Aktuale June 01, 2020 - 19:11

Ministria e Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike ka sqaruar masat e marra nga qeveria në detyrë "Kurti" për produktet që importohen nga Serbia, pasi u akuzua nga ish-zyrtarët e ish-qeverisë Haradinaj se janë të njëjtat masa me ato që i ka marrë kjo e fundit.

MEPTINIS ka thënë se vendimet e kësaj qeverie me ato të qeverisë së kaluar kanë dallim substancial. Vendimi nga Qeveria Haradinaj ishte marrë me datën 21.11.2018, ndërsa vendimi i fundit u mor me datën 30.05.2020, nga Qeveria Kurti. “Vendimi i marrë nga Qeveria e kaluar dhe i shfuqizuar nga Qeveria Kurti, obligonte Doganën e Republikës së Kosovës që ta ndalojë importin dhe hyrjen në treg të të gjitha produkteve të cilat i referohen Republikës së Kosovës si “Kosovë e Metohi”, “Kosovo Unmik”, “Kosovo 1244”, dhe “Kosovo Rezoluta 1244”, ndërsa vendimi i marrë nga Qeveria Kurti thekson që për të hyrë një produkt nga Serbia në Kosovë duhet që në mënyrë eksplicite t’i referohet shtetit tonë si “Republika e Kosovës”", ka thënë kjo ministri.

“Pra, përderisa Vendimi i tyre nuk kërkonte shprehimisht termin “Republikë”, ai lejonte që Kosovës t’i referoheshin edhe ndryshe, si Kosovo apo XK, apo të përdoreshin kombinime të pabarabarta të emrave të shteteve — si psh. “Republika Srbija” në njërën anë dhe “Kosovo” pa cilësimin Republikë në anën tjetër”, ka theksuar më tej MEPTINIS-i. Ministrja e kësaj ministrie, Rozeta Hajdari, tha se meqë Serbia ka kushtëzuar përdorimin e emrit “Republika e Serbisë”, qeveria "Kurti" iu kundërvu me masë reciproke. “Obliguam Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë të përdorë stemën dhe emrin “Republika e Kosovës” në të gjitha certifikatat fitosanitare dhe veterinare. Pra, asnjë maune nuk mund të hyjë në Kosovë nëse në certifikatat e tyre nuk figuron: Republika e Kosovës”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, dërguar klankosova.tv.

Kjo ministri rikujton se, siç thekson, Serbia në vazhdimësi ka shkelur zotimet e saj për lëvizje të lirë të mallrave nën traktatin e CEFTA-s dhe sipas marrëveshjeve të Brukselit, dhe se për këto arsye, Qeveria Kurti ka vendosur masat e reciprocitetit që “për dallim nga masat e qeverisë së kaluar, po vëzhgohen rreptë, për zbatimin dhe përshtatshmërinë e tyre”, thuhet në reagimin e zyrës për media të ministrisë së udhëhequr nga Rozeta Hajdari