LVV e pakënaqur me vendimin e Kushtetueses

LVV e pakënaqur me vendimin e Kushtetueses

Aktuale June 01, 2020 - 18:04

Agim Bahtiri nga radhët e LVV-së është deklaruar pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e Presidentit Thaçi, transmeton Zeri.info.

Ai ka thënë se nuk ka dashur të deklarohet deri në publikimin e plotë të vendimit, ndërsa tha se sot u ndje i zhgënjyer. I pari i Mitrovicës, vendimin e Gjykatës e ka cilësuar skandaloz dhe të dëmshëm për demokracinë, i cili, sipas tij, do të sjellë edhe pasoja në të ardhmen. “Ky vendim mendoj që është skandaloz, i porositur, i dëmshëm për demokracinë dhe do të sjellë pasoja edhe në të ardhmen, ku do të kemi problem si shtet për të ndërtuar institucione të qëndrueshme dhe me legjitimitet që buron nga vullneti i qytetarëve”, ka shkruar Bahtiri në facebook.

Ai tha se vendi duhet të shkojë në zgjedhje. Jo shumë ndryshe nga kryetari i Mitrovicës, ka reaguar edhe Haki Abazi, ku ka thënë së në këtë mënyrë është duke u testuar durimi dhe toleranca, ndërsa vendimin e Gjykatës e ka quajtur të falsifikuar. “Jeni duke e testuar fundin e durimit dhe tolerancës, njoftimi i gjykatës kushtetuese është skandaloz e antikushtetues ndërsa aktvendimi është i falsifikuar - rigjykimi është më e pakta që duhet të ndodhë”, ka shkruar Abazi në Facebook.

Edhe Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, ka thënë se kjo gjykatë u bë doracak për Presidentin Thaçi, "e doracaku pastaj qëndrim që doli më 28 maj, e këtij qëndrimi ju përshtat edhe vendimi, sot". Ai në fund ka shtuar se “Manipulimi e shkelja ishin të domosdoshme për aq kohë sa Gjykata ndiqte rrugën e Presidentit dhe jo anasjelltas”./Zëri.