Dita e fëmijëve pa aktivitete në Prishtinë

Dita e fëmijëve pa aktivitete në Prishtinë

Aktuale June 01, 2020 - 17:53

 

1 Qershori, tash e 70 vite, shënohet si Dita Ndërkombëtare e Fëmijëve.

Programe për fëmijë, shëtitje në natyrë e aktivitete tjera, organizohen për këtë ditë çdo vit, përmes së cilës synohet sensibilizimi, mbrojtja dhe garantimi i të drejtave të barabarta për të gjithë fëmijët në botë.

Krahasuar me vitet e kaluara, kur pati shumë organizime, këtë vit 1 Qershori Kosovën e gjeti pa aktivitete, si pasojë e pandemisë.

Adrian Berisha, këshilltar i kryetarit të komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, për “Zërin” tha se edhe pse kanë planifikuar aktivitete për këtë ditë, ato u pamundësuan shkaku i situatës me koronavirus. “Gjatë ditës së sotme, e vetmja çka kemi mundur të bëjmë është shpërndarja e afërsisht 1000 dhuratave për fëmijët në Prishtinë”, theksoi Berisha.

Për Besim Ramadanin, prind nga Prishtina, kjo situatë dallon shumë nga ajo e viteve të kaluara.

“Kemi dalë sot pak me fëmijët. Për dallim nga viti i kaluar, këtë vit nuk ka ndonjë organizim nga komuna”, theksoi Ramadani.

Edhe pse nuk pati ndonjë organizim, prindër të shumtë vendosën që të dalin me fëmijët e tyre për këtë festë në sheshet e kryeqytetit.

Fëmijët që kishin dalë sot në sheshet e Prishtinës, kishin përgatitur poezi e urime për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre.

Koalicioni i OJQ–ve për Mbrojtjen e Fëmijëve në Kosovë – KOMF, për ditën e fëmijëve, ka publikuar Raportin e Monitorimit “Komuna Ime, e Drejta Ime Sociale” mbi procesin e decentralizimit të shërbimeve sociale në Kosovë.

Donjeta Kelmendi nga ky koalicion tha se edhe pse mbrojtja e të drejtave të fëmijëve është e garantuar me ligj për të gjithë fëmijët dhe qytetarët në nevojë, jo të gjithë kanë qasje dhe përfitojnë nga shërbimet.

Ky Koalicion dha edhe disa rekomandime, duke i dhënë prioritet procesit të decentralizimit të shërbimeve sociale, i cili, sipas KOMF-it, nuk është përmbyllur edhe pas 10 vitesh.

Festa e 1 Qershorit u bë zyrtare në vitin 1925 kur përfaqësues nga vende të ndryshme u takuan në Gjenevë të Zvicrës për të thirrur “Konferencën Botërore për Mirëqenien e Fëmijëve”.

Sot fëmijët, pa marrë parasysh racën, gjininë, fenë apo origjinën kombëtare, konsiderohen të gjithë të barabartë në çdo aspekt.