AKK-ja reagon pasi disa komuna nuk i hapën çerdhet sot

AKK-ja reagon pasi disa komuna nuk i hapën çerdhet sot

Aktuale June 01, 2020 - 10:32

Asociacioni i Komunave të Kosovës ka reaguar pasi disa komuna kanë refuzuar t’i hapin çerdhet, sipas vendimit të Qeverisë së Kosovës.

AKK-ja fajëson institucionet qendrore për moskoordinim me komunat në lidhje me vendimin e vonuar për hapjen e çerdheve, transmeton “Zeri.info”.

“Kryetarët e komunave vlerësojnë se në këtë rast kishte mungesë totale të koordinimit ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe vetë komunave dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë e besojmë që do të jetë hera e fundit”, thuhet në reagim.

Njoftimi i plotë:

Pse nuk janë rihapur sot institucionet parashkollore në komunat e Kosovës?

Sot nuk kanë nisur punën çerdhet në komunat e Kosovës, sepse njoftimi dhe vendimi i institucioneve qendrore u shpall dje pasdite e duke e shtuar konfuzionin në orët e vona të mbrëmjes si për institucionet qendrore, ato komunale, ashtu edhe për bartësit e institucioneve parashkollore dhe për vetë prindërit.

Kryetarët e komunave vlerësojnë se në këtë rast kishte mungesë totale të koordinimit ndërinstitucional në mes të Qeverisë dhe vetë komunave dhe fatkeqësisht nuk është hera e parë e besojmë që do të jetë hera e fundit.

Asociacioni i Komunave të Kosovës kërkon edhe një herë nga institucionet qendrore që të kemi koordinim më të mirë dhe efektiv për të mirën e përbashkët dhe jo vetëm në parandalimin e pandemisë COVID-19, por edhe për çështje tjera të interesit publik.

Fillimisht kishim dy versione si datë të hapjes së çerdheve, 1 dhe 8 qershorin. Pastaj në shpallje të vendimit, që u lajmëruam përmes mjeteve të informimit, u tha se kjo rihapje ka kritere të reja. E të cilat kritere nuk ishin publike askund dhe nuk u ishin dërguar as komunave. Mungonte informata e qartësuar dhe e plotë për një aktivitet tepër të rëndësishëm siç janë çerdhet dhe kopshtet në kohë pandemie.

Më vonë, pak para mesnate, komunat pranuan “Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe të kopshteve pas pandemisë së COVID-19”. Sipas këtij dokumenti, faza përgatitore e hapjes së institucioneve parashkollore merr disa ditë kohë, meqë ka një mori të masave në zbatim të plotë të Udhëzuesit dhe për të siguruar shëndetin e fëmijëve tanë.

Po ashtu, përveç këtyre kritereve nga Udhëzuesi për hapje të institucioneve parashkollore, i shtohen edhe çështjet tjera, si mbipopullimi i çerdheve, çështja e ushqimit dhe pastrimit, si tre elemente bazike në masat për parandalimin e përhapjes së pandemisë COVID-19.

Andaj, duke marrë për bazë të gjitha këto, mund të vlerësohet se pse komunat kanë vepruar drejt që nuk kanë lejuar hapjen e këtyre institucioneve më 1 qershor pa përgatitje sipas Udhëzuesit.
Ndërkohë, komunat e Kosovës menjëherë kanë filluar angazhimet për zbatim të kritereve dhe të masave nga “Udhëzuesi për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe të kopshteve pas pandemisë së COVID-19” dhe përgatitjen sa më përmbajtjesore e të sigurt të hapjes së çerdheve dhe të kopshteve.
Pas zbatimit të plotë të këtij udhëzuesi nga ana e komunave, në ditët në vijim do të hapen çerdhet dhe kopshtet dhe do të jenë nën kujdesin e shtuar të strukturave komunale.