Komunat që po kundërshtojnë vendimin për të hapur çerdhet

Komunat që po kundërshtojnë vendimin për të hapur çerdhet

Aktuale June 01, 2020 - 08:57

Disa komuna në Kosovë po e kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Arsimit për rihapjen e çerdheve nga 1 qershori.

Prishtina, Gjakova, Obiliqi, Drenasi, Skenderaj dhe Vushtrria janë disa nga komunat që nuk kanë hapur çerdhet as sot, kur ka nisur faza e tretë e lehtësimit të masave, shkruan “Zeri.info”.

Komunat që nga mbrëmë, kur është bërë e ditur se Qeveria ka marrë vendim t’i rihapë çerdhet, kanë ftuar prindërit që të mos i dërgojnë fëmijët në këto institucione.

Kryetarët e komunave janë ankuar se nuk kanë pranuar asnjë vendim zyrtar për hapjen e çerdheve private dhe publike.

Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka qenë i pari i cili ka njoftuar mbrëmë prindërit që të mos i sjellin fëmijët në çerdhe, pasi këto institucione nuk janë ende gati.

“Ne presim që Ministria e Arsimit të qartësojë situatën dhe rregullat, po shpresojmë sonte. Prandaj, prindër të nderuar, mos i dërgoni fëmijët në çerdhet publike dhe ato me bazë në komunitet në komunën tonë deri t’i marrim vendimet dhe rregullat nga niveli qendror dhe derisa çerdhet përkatëse ku i keni fëmijët të ju lajmërojnë për funksionimin e plotë”, ka shkruar Ahmeti, transmeton “Zeri.info”.

Një njoftim të ngjashëm me Ahmetin e kanë dhënë edhe kryetarët e komunave të tjera, që kanë kërkuar më shumë kohë për përgatitjen e çerdheve për t’i pritur fëmijët. /Zëri