Fillon faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19

Fillon faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19

Aktuale June 01, 2020 - 08:14

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur një ditë më parë ka vendosur për fillimin e fazës së tretë të lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, duke shfuqizuar kështu vendimin e Qeverisë të 26 marsit për ndalimin e disa veprimtarive.

Me fillimin e fazës së tretë të lehtësimit të masave është vendosur për rihapjen e çerdheve, të kufijve tokësorë, të gastronominë e të qendrave tregtare.

Po ashtu është vendosur:

Organizimi i ambientit dhe përgatitjeve për testin e arritshmërisë me klasat e nënta (kthimi i klasave të nënta në shkollë bëhet prej datës 8 qershor deri më 19 qershor me qëllim të mbajtjes së testit të arritshmërisë më 23 qershor 2020);

Organizimi i ambientimit dhe përgatitjeve për testin e maturës me nxënësit e klasave të dymbëdhjeta (kthimi i klasave të dymbëdhjeta në shkollë bëhet nga 15 qershor deri më 30 qershor dhe mbajtja e testit të maturës më 4 korrik 2020);

Lejimin orëve praktike/laboratorike për Institucionet e Arsimit të Lartë dhe organizimi i provimeve duke zbatuar në mënyrë strikte rekomandimet e IKSHPK-së.

Shfuqizohet pika  IV. e Vendimit të Qeverisë Nr.02/35 të datës 27 mars 2020 me të cilin personat që hyjnë në Republikën e Kosovës obligohen të vet-izolohen për 14 ditë të ardhshme.

Shfuqizohet pika  4. e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09 i datës 13 mars 2020 me të cilin janë mbyllur kufijtë tokësorë në Republikën e Kosovës.

Hapen kufijtë tokësorë në pikat kufitare si në vijim: Merdarë, Vërmicë, Kullë, Hani i Elezit, Jarinjë dhe Dheu i Bardhë.

Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës obligohen t’u nënshtrohen kontrolleve të ekipeve mjekësore të QKMF-ve (qendrave kryesore të mjekësisë familjare) në pikat kufitare dhe t’i zbatojnë masat mbrojtëse kundër COVID-19.

Të gjithë personat që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës dhe posedojnë rezultatin negativ për testin COVID-19 RT PCR (jo më i vjetër se 4 ditë) nuk u nënshtrohen procedurave të vetizolimit;

Ata që nuk kanë testin, sipas pikës 6.1., detyrohen të vetizolohen për 7 ditë;

Qytetarët që manifestojnë shenja klinike udhëzohen nga profesionistët shëndetësorë në pikat kufitare;

Deri më datën 20 qershor do të bëhet rivlerësim i situatës epidemiologjike dhe me këtë do të reflektohen masa të reja lidhur me pikat kufitare dhe hyrjen e qytetarëve në Republikën e Kosovës.

Shfuqizohet pika 6 e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, i datës 13 mars 2020, me të cilin janë mbyllur kafenetë, baret, restorantet dhe qendrat tregtare.

Shfuqizohet pika 9.  e Vendimit të Qeverisë Nr. 01/09, i datës 13 mars 2020, me të cilin janë reduktuar veprimet esenciale dhe stafi esencial për çdo institucion publik.

Shfuqizohet pika 1.3. e Vendimit të Qeverisë Nr. 02/17, i datës 27 mars 2020, lidhur me ushtrimin e veprimtarive të barnatoreve të licencuara të Republikës së Kosovës.

Të gjitha ministritë e linjës në bashkëpunim me palët e interesit obligohen t’i zbatojnë masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të IKSHPK-së, të OBSH-së dhe të institucioneve kredibile ndërkombëtare.

Obligohen Institucionet e Qeverisë së Republikës së Kosovës të ndërmarrin veprimet e nevojshme për zbatimin e këtij Vendimi, me theks të veçantë të ketë kontrolle rigoroze nga organet e rendit dhe Inspektoratet respektive.

Në arsyetimin e miratimit të këtyre vendimeve është theksuar se situata epidemiologjike në vend konsiderohet me rrezik të reduktuar, e krahasuar me situatën paraprake, e konstatuar nga IKSHPK-ja dhe nga Zyra e OBSH-së në Kosovë.