MASHTI: Më 1 qershor hapen vetëm çerdhet që janë gati, të tjerat ditëve në vazhdim

MASHTI: Më 1 qershor hapen vetëm çerdhet që janë gati, të tjerat ditëve në vazhdim

Aktuale May 31, 2020 - 22:59

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, në kuadër të lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19, ka marrë vendim edhe për hapjen e çerdheve dhe kopshteve në vend nga data 1 qershor.

Por, ndaj këtij vendimi, së paku dy komuna në vend, kryeqyteti dhe komuna e Obiliqit, dolën kundër, duke u bërë thirrje prindërve të mos i dërgojnë nga nesër fëmijët në çerdhet publike për shkak të mungesës së informatave të mjaftueshme për funksionimin e tyre. Me këtë rast, Ministria e Arsimit, në adresë të mediave, ka dërguar sqarimet e nevojshme për funksionalizimin e çerdheve në vend pas lehtësimit të masave, raporton Zeri.info.

Në komunikatë thuhet se MASHTI ka kërkuar nga Drejtoritë Komunale për Arsim (DKA) dhe institucionet parashkollore që të zbatojnë masat dhe udhëzimet e rekomanduara nga Instituti i Shëndetësisë dhe OBSH-ja për rihapjen e çerdheve. Tutje thuhet se kjo ministri ka vënë në dispozicion të DKA-ve dhe institucioneve parashkollore një udhëzues të hartuar nga UNICEF-i, për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-9.

Ndërkaq, edhe ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në Facebook, ka dhënë sqarime shtesë për rihapjen e çerdheve.

Ajo tha se MASHTI ka kërkuar nga komunat në vend që institucionet parashkollore të cilat nuk janë të përgatitura sa u përket masave të IKSHPK-së, OBSH-së, UNICEF-it dhe institucioneve kredibile ndërkombëtare, hapjen e çerdheve dhe kopshteve mund ta bëjnë ditëve në vijim, pasi të jenë siguruar se janë krijuar kushtet e duhura. Bajrami tha ministria që ajo drejton është në kontakt të vazhdueshëm me komunat, respektivisht DKA-të, për çështjen e hapjes se çerdheve. “Nga Qeveria kam kërkuar disa herë që të ju dalim në ndihmë komunave me dezinfektues për krijimin e kushteve për rihapjen e çerdheve. Ditëve të ardhshme do t’ju mbajnë të informuar për çfarëdo hapi tjetër dhe do të përcjellim me kujdes të shtuar rihapjen e institucioneve edukativo-arsimore”, potencoi ministrja në detyrë e Arsimit, Hykmete Bajrami. Ajo ka shpërndarë edhe “Udhëzuesin për rihapjen e institucioneve parashkollore dhe kopshteve pas pandemisë së COVID-19”, të cilin mund ta gjeni KËTU.